Skemë mashtrimi 700 mijë €, bllokohen llogaritë bankare të “Albavia-s” së Hasan Fizit dhe Shkëlqim Rakipajt

Një ndër kompanitë kryesore në fushën e ndërtimit, “Albavia” shpk, dyshohet se është pjesë e një skeme mashtrimi financiar me rimbursimin e TVSH-së, sipas një hetimi në zhvillim të Prokurorisë së Tiranës.

Paraditen e së mërkurës, Prokuroria njoftoi se ka bllokuar llogaritë bankare të “Albavia” shpk, në pronësi të Shkëlqim Rakipaj dhe Hasan Hafizi, e cila ka fituar rreth 60 milionë euro tendera publikë në 6 vitet e fundit, sipas portalit informative “open.data”.

Kjo shoqëri, në bashkëpunim me 6 subjekte të tjera tregtare, dyshohet se kanë krijuar një skemë mashtrimi në shumën mbi 700 mijë euro.

Konkretisht bëhet fjalë për subjektet:

     “OLT-FLOR” shpk –administrator, Nevruz Islami, sekuestro në vlerën – 6,479,834 lekë

     “OLTI-Group” shpk – administrator, Kujtim Elqeni, sekuestro në vlerën 1,542,834 lekë

     “ALBAVIA” shpk – administrator, Hasan Hafizi dhe Shkëlqim Rakipaj, sekuestro në vlerën 23,056,593 lekë (TVSH + TF)

     “Kukës Chrome Minerals” shpk– administratorë, Ador Dibra, Gentian Çërraga, Petrit Koldashi, Sokol Dibra, sekuestro në vlerën 24,570,607 lekë (TVSH + TF)

     “Troci 2005” shpk – administrator, Elton Troci dhe Edrion Troci, sekuestro, në vlerën 10,521,085 lekë (TVSH + TF)

     “STANDART” shpk –administratorë, Demo Buci dhe Xhafer Bejko, sekuestro në vlerën 6,880,483 lekë (TVSH + TF)

Sipas organit të akuzës, këto subjekte kanë përdorur fatura fiktive me qëllim shmangjen e detyrimeve tatimore.

Sipas organit të akuzës, këto subjekte kanë përdorur fatura fiktive me qëllim shmangjen e detyrimeve tatimore.

Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme të organizuar, ku janë lëshuar dhe përdorur fatura për punime dhe shërbime të pa kryera realisht, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale.

“Nga analiza financiare rezultoi se vlera e transaksioneve të dyshuara shkon mbi 73 milionë lekë, ndërsa dëmi i mundshëm ndaj buxhetit të shtetit lidhet me mosdeklarimin dhe shmangien e pagesës së tatimeve.

Në këtë fazë të procedimit, është urdhëruar:

Sekuestrimin e llogarive bankare në disa banka të nivelit të dytë;

Bllokimin e menjëhershëm të tyre për të parandaluar lëvizjen e fondeve;

Vijimin e hetimeve për identifikimin e plotë të personave të përfshirë”,- njoftoi Prokuroria.

Hetimet vijojnë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa nuk përjashtohet marrja e masave të tjera procedurale në vijim./Boldnews.al