ONE Albania, banka hungareze dhe hija e Budapestit: çfarë lë pas në Tiranë rënia e Viktor Orbánit

Rënia e Viktor Orbánit nuk është thjesht një rotacion pushteti në Budapest. Është goditje në zemër të një sistemi që për 16 vjet ndërtoi një aleancë të ngushtë mes shtetit, kapitalit klientelist dhe ndikimit politik rajonal. Fitorja dërrmuese e Péter Magyar më 12–13 prill 2026, me shumicë të cilësuar në parlament, po lexohet si sinjal për një spastrim të madh institucional dhe financiar në Hungari. Reuters raportoi se Magyar ka premtuar rikthimin e shtetit ligjor, reforma antikorrupsion, pavarësi të gjyqësorit dhe afrimin me strukturat evropiane të hetimit.

Por goditja e re politike nuk ndalet vetëm brenda kufijve të Hungarisë. Ajo ngre një pyetje që prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë: çfarë do të bëhet me kompanitë që u rritën nën hijen e pushtetit të Orbánit dhe që u përdorën si mjete ndikimi në Ballkan?

Kjo pyetje bëhet edhe më sinjifikative pas investigimit të Direkt36, i cili ka dokumentuar se kompania hungareze 4iG nuk u ngrit si një sukses i zakonshëm tregu, por si produkt i një sistemi ku politika, paratë publike dhe interesat strategjike janë ndërthurur ngushtë.

Sipas investigimit, vetë Orbán ka ndërhyrë personalisht për të shtyrë marrëveshje kyçe të 4iG, ndërsa kompania ka përfituar financim shtetëror të fshehtë dhe është përdorur si instrument i zgjerimit hungarez në sektorë strategjikë, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Direkt36 përmend qartë edhe zgjerimin në Shqipëri dhe Mal të Zi si pjesë të kësaj logjike.

Në këtë sfond, Shqipëria del në hartë jo si treg periferik, por si nyje e prekshme e ndikimit hungarez. Aseti më i dukshëm është ONE Albania, pjesë e strukturës rajonale të 4iG. Vetë grupi hungarez ka konfirmuar në komunikimet e tij korporative se Shqipëria dhe Mali i Zi përbëjnë një pjesë të rëndësishme të organizimit të tij në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se çdo tronditje politike, hetimore apo financiare në Budapest mund të ketë efekt zinxhir, jo domosdoshmërisht në funksionimin e përditshëm të kompanisë në Shqipëri, por në pronësi, strategji, transparencë dhe peshë politike.

Deklaratat e Péter Magyar e bëjnë këtë klimë edhe më të ndezur. Sipas Reuters, ai ka shpallur një program që synon rikthimin e standardeve demokratike, bashkimin me Prokurorinë Publike Evropiane dhe një ofensivë kundër korrupsionit që ka bllokuar edhe fondet e BE-së për Hungarinë. Mediat ndërkombëtare raportuan gjithashtu se Magyar ka folur për nevojën që të mbajnë përgjegjësi ata që, sipas tij, “plaçkitën” vendin. Kjo gjuhë nuk është vetëm retorikë elektorale. Ajo paralajmëron auditim, hetim dhe potencialisht goditje ndaj rrjeteve ekonomike që u pasuruan në epokën Orbán.

Në terma praktikë, kjo do të thotë se kompanitë e lidhura me sistemin Orbán nuk pritet të shemben menjëherë. Por atyre mund t’u hiqet mburoja politike. Dhe në momentin që humbet mburoja, fillojnë të duken më qartë privilegjet, financimet e dyshimta, marrëveshjet e fryra dhe përdorimi i biznesit si vegël e politikës së jashtme.

Për ONE Albania, kjo është veçanërisht e ndjeshme. Jo sepse kompania do të mbyllet nesër, por sepse mund të hyjë në një zonë pasigurie strategjike: a do të mbetet nën të njëjtën strukturë pronësie? A do të ketë auditime mbi origjinën e financimit? A do të kërkohet ristrukturim i grupit 4iG? A do të zbehet projekti i ndikimit hungarez në Ballkan? Këto janë pyetje reale që sot nuk mund të anashkalohen.

Për bankën hungareze, tabloja është më e qetë, por jo plotësisht jashtë radarit. Sistemi bankar ka natyrë më të rregulluar dhe më pak të lëvizshme politikisht se telekomi, por nëse qeveria e re në Budapest hap dosje të mëdha mbi kapitalin e favorizuar, çdo entitet i rëndësishëm hungarez jashtë vendit mund të hyjë nën lupë, qoftë edhe vetëm në aspektin reputacional.

Në Shqipëri, kjo është një çështje që nuk duhet trajtuar si thashethem politik, por si temë sigurie ekonomike dhe strategjike. Telekomunikacioni nuk është thjesht treg. Është infrastrukturë kritike, qarkullim të dhënash, kontroll informacioni dhe ndjeshmëri kombëtare. Kur një kompani e tillë lidhet me një grup që një investigim serioz e paraqet si produkt të pushtetit politik në Budapest, atëherë shteti shqiptar ka detyrim të shohë përtej bilanceve dhe reklamave.

Orbán ra. Tani prova e vërtetë është nëse do të bjerë edhe modeli i tij i biznesit politik. Dhe nëse ky model fillon të çmontohet në Hungari, jehona e parë në Ballkan mund të dëgjohet pikërisht te asetet që u përdorën si ura ndikimi, mes tyre edhe në Shqipëri./Pamfleti