QYTETARËT “KAPICË”! Reduktohen me 40 % urbanët, Shoqatat e Transportit: Kompensim 100 lekë/litër të naftës

Numri i urbanëve në qarkullim u ul me gati 40 % duke nisur nga kjo e mërkurë e për pasojë qytetarët që përdorin transportin publik pritën më gjatë në stacione për autobusët. Ndërsa transportuesit kërkojnë subvencion 100 lek për litër nafte, Bordi i Transparencës vendosi çmimet e reja tavan për karburantet

Kjo ishte situata në stacionet e autobusëve urbanë në pjesën më të madhe të Tiranës, Kamzës dhe zonave të tjera rreth kryeqytetit, pasi mjetet e transportit ishin reduktuar me gati 40% nga shoqatat e transportit publik.

Qytetarët që përdorin transportin urban për të shkuar në punë apo nxënësit drejt shkollave u përballën me vonesa dhe iu desh të udhëtonin mes flukseve të shtuara që krijoi lëvizja më e rrallë e autobusëve.

Kreu i Shoqatës së Transportit Qytetas e Ndërqytetas sqaroi se vendimi i kufizimit të mjeteve në qarkullim është pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së mbështetjes nga qeveria përmes subvencioneve, për çka patën një takim me përfaqësues të qeverisë më 1 prill.

Dashnor Mema thotë se sektori i transportit urban ka nevojë për një paketë emergjente mbështetje, siç e cilëson ai, duke propozuar kompensim të naftës në nivelin 100 lekë për litër.

Qytetarët që po vuajnë pasojat në anën tjetër kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë.

Në të njëjtën ditë, Bordi i Transparencës vendosi çmimet e reja tavan për karburantet.

Nafta me pakicë do të shitet jo më shumë se 207 lekë për litër, duke u ulur me 8 lekë nga 215 lekë që ishte më parë.

Benzina do të shitet jo më shumë se 174 lekë/litri, ndërsa ajo e shitjes me shumicë jo më shumë se 162 lekë/litër. Çmimet do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.