Rritja e naftës ndryshon transportin publik/ Shoqata e Transportit: Nga nesër, 40% e autobusave dalin nga qarkullimi

Sektori i transportit publik në vend po përballet me vështirësi të mëdha financiare, ndërsa operatorët kanë paralajmëruar masa që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban bëjnë me dije se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe një takimi me institucionet më 1 prill, nuk është marrë asnjë masë konkrete për të ndihmuar sektorin.

Sipas tyre, nuk ka asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, nuk është paraqitur një plan për uljen e kostove dhe nuk është dhënë asnjë afat për ndërhyrje. Po ashtu, nuk ka nisur as rishikimi i taksave që ndikojnë drejtpërdrejt te shpenzimet e operatorëve, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja.

Kjo situatë ka rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të kompanive të transportit, të cilat thonë se po e kanë të vështirë të vazhdojnë normalisht aktivitetin.

Për këtë arsye, duke nisur nga nesër, do të ketë reduktim të mjeteve në qarkullim me 40%. Kjo do të thotë më pak autobusë dhe më shumë vështirësi për qytetarët në lëvizje.

Operatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë udhëtimet, ndërsa shtojnë se vendimi vjen si pasojë e mungesës së reagimit nga institucionet.

Ata shprehen të gatshëm për bashkëpunim, por kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.