Kriza në transportin publik/ Foni: Rritja e karburantit dhe premtimi i thyer i qeverisë na detyruan të ulim shërbimin

Transporti publik në të gjithë Shqipërinë ka hyrë në një fazë proteste, duke reduktuar shërbimin me 40%.

Kjo masë drastike, e cila ka nisur sot, vjen si pasojë e rritjes së pandalshme të çmimit të karburantit dhe asaj që përfaqësuesit e sektorit e quajnë "mungesë reagimi institucional" nga ana e qeverisë.

Problemi nuk prek vetëm Tiranën, por të gjitha linjat urbane, ndërqytetase dhe interurbane në rang vendi.

Për të folur në lidhje me këtë temë, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetës, Kostandin Foni.

" Kjo ka ndodhur ditën e sotshme në rang vendi, pra në të gjithë qytetet e Shqipërisë, si atë transportin urban qytetas, ndërqytetas, interurban.

Kjo vjen si pasojë e mosreagimeve institucionale. Pra, le ta marrim më të zgjeruar pak.

Ndjekim kronologjinë të cilën është zhvilluar dhe kemi arritur deri në këtë pikë. Që prej javës së parë të nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, rritja e çmimit të karburantit pati një trend rritje prej rreth 30-40 lekë që javën e parë.

Kemi filluar reagimin duke nisur shkresat tona informuese në lidhje me rritjen e çmimit të shpejtë dhe se duhet të ulemi në një tryezë për të parë se si do të do jetë vijueshmëria dhe se si do jetë projeksioni në rast se çmimi tejkalon 200 lekëshin.

Shkresat kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme.

Pati një reagim dhe ulje në një tryezë midis ministrave, pra asaj të zonjës Ibrahimi, zotit Karakaçi dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, me të gjithë këto aktorët, operatorët e transportit qytetas, ndërqytetas dhe interurban, ku u shprehëm në lidhje me kërkesat tona, propozimet tona dhe në një farë mënyre, nga reagimi dhe dhe ajo që u premtua në atë takim ishte se paketa e emergjencës do të vihet në funksion shumë shpejt apo do ketë një vendimmarrje në lidhje me mbështetjen financiare për këtë sektor.

Në atë takim, u la që në datën 7 prill do kishim një takim të dytë për të parë mbështetjen që mund të jepte qeveria dhe takimi nuk u zhvillua, as në datën 7 prill, por dhe sot që ne flasim, nuk kemi asnjë lloj reagimi institucional apo informacion se si do të vijojë pjesa e e kërkesave që ne jemi adresuar qeverisjes qëndrore", u shpreh Foni.

Ndiqni intervistën e plotë: