Numri i pagesave me para elektronike pësoi rënie në 2025

Numri i pagesave me para elektronike pësoi rënie vitin e kaluar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar numri i veprimeve me para elektronike zbriti në 12.74 milionë, 13.4% më pak krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, në vlerë, pagesat me para elektronike u rritën në 95.27 miliardë lekë, 9.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Pagesa me para elektronike në sportelet e Institucioneve Financiare të Parasë Elektronike është një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare, por ndryshimi kryesor është se këto transaksione nuk kryhen nëpërmjet kartave dhe POS-eve të sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike.

Në fakt, vlerësohet se pjesa dërrmuese veprimeve me para elektronike janë ende të lidhura me veprime në para cash, siç mund të jenë format e ndryshme të pagesave që qytetarët kryejnë nëpërmjet sporteleve fizike të parasë elektronike në formë cash, por që më tej ekzekutohen nga agjentët e këtyre institucioneve nëpërmjet llogarive të tyre të parasë elektronike.

Për të dhënë një shembull të thjeshtë, nëse paguani një faturë pranë një institucioni pagesash, veprimi klasifikohet si pagesë me para elektronike, megjithëse konsumatori e kryen atë në formë cash. Pra, në këtë rast, megjithëse shlyerja për përfituesin bëhet nëpërmjet llogarive të parasë elektronike, pagesa nga konsumatori fundor bëhet në para fizike, ndaj cikli i pagesës nuk është plotësisht dixhital.

Gjithashtu, njëra prej institucioneve të reja të parasë elektronike e lidh hapjen e llogarive të parasë elektronike me disbursimin e kredive të një kompanie simotër i mikrokredive konsumatore. Por, realisht kjo rritje i detyrohet në thelb produktit të kredisë dhe jo shërbimit të pagesës.

Mundësimi i pagesave nëpërmjet pikave të agjentëve ka qenë sidoqoftë një hap pozitiv krahasuar me situatën përpara zhvillimit të kësaj forme pagese, sepse u ka dhënë klientëve mundësinë të kryejnë pothuaj të gjithë pagesat për shërbime apo për produkte në një sportel të vetëm.

Megjithatë, institucionet e parasë elektronike në vitet e fundit kanë zhvilluar tashmë platforma që mundësojnë një cikël të plotë të kryerjes së pagesës elektronike për një spektër të gjerë pagesash, duke krijuar një model të mirëfilltë fintech.

Aplikacionet e tyre japin mundësi për klientin që të kryejë pagesa në çast, që mundësojnë marrjen e shërbimit gjithashtu në çast, falë integrimin me sistemet e kompanive të cilat e ofrojnë shërbimin në fjalë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktualisht në vend veprojnë 10 institucione të licencuara të parasë elektronike. Shumica e tyre janë licencuar pas vitit 2021, me miratimin e ligjit të ri për shërbimet e pagesave./ Monitor