VIDEO/ Hoxha: Ndihmë juridike falas për 5863 qytetarë gjatë vitit të kaluar

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u zhvillua seanca dëgjimore për analizën vjetore të performancës për vitin 2025 të drejtorisë së ndihmës juridike falas.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, tha se “aksesi në drejtësi është një nga treguesit më domethënës të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe një garanci thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

“Ai përbën një nga tre prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe çdo ndërhyrje institucionale në këtë fushë është e orientuar drejt garantimit të një sistemi sa më të aksesueshëm, efikas dhe gjithëpërfshirës për qytetarët”, vijoi Hoxha, ndërsa theksoi se drejtoria e ndihmës juridike falas është instrumenti kryesor për realizimin praktik të këtij qëllimi dhe gjatë vitit 2025 ajo ka vijuar të konsolidojë një sistem që nuk mbetet vetëm në nivel normativ, por prodhon rezultate të prekshme për qytetarët.

“Gjatë këtij viti, sistemi i ndihmës juridike falas ka ofruar mbështetje për një numër të konsiderueshëm qytetarësh. 5863 qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike parësore, ndërsa 924 qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike dytësore përmes përfaqësimit me avokat në gjykatë.

Përmes aksesit në platformën online dhe numrit të gjelbër janë trajtuar 6408 raste, çka dëshmon për rritje të besimit në këtë sistem. “Këto rezultate janë një reflektim i drejtpërdrejtë i prioritetit të Ministrisë së Drejtësisë për të garantuar akses real dhe jo vetëm formal në drejtësi”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, në aspektin e ndihmës juridike parësore, shërbimi është ofruar përmes një rrjeti të konsoliduar prej 47 ofruesish në të gjithë vendin, 20 qendra shërbimi, 14 organizata jofitimprurëse dhe 13 klinika ligjore.

Hoxha tha se ky rrjet garanton mbulim të plotë territorial dhe një qasje gjithëpërfshirëse ndaj qytetarëve, ndërsa shtoi se “analiza e çështjeve të trajtuara tregon se sistemi adreson problematika reale të shoqërisë nga të cilat 47% e rasteve janë civile, 44% administrative dhe 8% penale”.

“56% e përfituesve janë persona pa të ardhura ose pa pasuri, ndërsa 39% i përkasin kategorive të veçanta, ku spikasin viktimat e dhunës në familje 906 raste, pensionistët 851 raste dhe personat me aftësi të kufizuara 86 raste”, tha ajo.

“Në drejtim të rritjes së kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit, gjatë vitit 2025 janë trajnuar 293 studentë, 94 studentë kanë përfunduar praktikat profesionale, janë zhvilluar 591 aktivitete ndërgjegjësuese si dhe janë realizuar 26 dalje mediatike”, tha Hoxha, ndërsa shtoi se një akses në drejtësi nuk matet vetëm me numra, por me besimin që qytetarët kanë te institucionet dhe aftësinë për t’u dhënë zgjidhje reale problemeve të tyre.

Nga ana tjetër, deputetja Greta Bardeli u shpreh se reforma territoriale gjyqësore ka hasur vështirësi dhe ngriti çështjen e përgatitjes së një projektligji të ri për ndërmjetësimin mes palëve, me qëllim uljen e stokut të çështjeve gjyqësore.

Ajo theksoi se bashkitë e vogla nuk kanë vëmendjen e duhur për sa i përket këtyre shërbimeve dhe kërkoi që Ministria e Drejtësisë të fokusohet më shumë në këto zona, ku problematikat janë të shumta dhe kapacitetet për t’iu përgjigjur nevojave janë të kufizuara. Sipas saj, institucionet duhet të shkojnë më pranë qytetarëve dhe jo të përqendrohen vetëm në qendrat e mëdha.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, në përgjigjen e saj theksoi “se çdo reformë sjell sfida dhe se në asnjë moment nuk është pohuar që reforma gjyqësore ka krijuar problematika, por sfida që po adresohen në mënyrë të vazhdueshme”.