Projekti “Vjosa e gjelbër” me fokus mbrojtjen e biodiversitetit unik të rajonit

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin e Diasporën u diskutua mbi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, mbi bashkëpunimin teknik 2024 për projektin ” Green Vjosa” (Vjosa e Gjelbert)- Zhvillim rajonal i gjelbërt dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës”.

Zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli tha se në bazë të marrëveshjes mes dy palëve, Projekti “Vjosa e gjelbër” përqendrohet në ruajtjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit unik të rajonit, si gurthemeli për turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Kjo, pritet të arrihet duke krijuar ndërgjegjësim, mbështetur në iniciativat e bazuara te komuniteti dhe aktorët kombëtarë e rajonalë.

Projekti siguron një ekuilibër mes mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes ekonomike të qëndrueshme.

Gazheli tha se, në zbatim të dispozitave të kësaj marrëveshjeje të lidhur herët më 21 tetor 1988, qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë vë në dispozicion të projektit, shërbime, personel dhe materiale, si edhe kontributin fillestar prej 3 milionë euro.

Për zbatimin e këtij projekti ngarkohet Ministria e Mjedisit dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GTZ.