Nga domatet te djathi, shtrenjtimi prek çdo produkt bazë! Qytetarët: Detyrohemi të shkurtojmë konsumin
Çmimet e ushqimeve në vend vijojnë që të rriten, ku sipas një monitorimi që bëri “Ora News”, mbi 80 produkte të shportës bazë janë shtrenjtuar. Qytetarët thonë se janë të detyruar të ulin konsumin për të përballuar jetesën
Çmimet e produkteve ushqimore në vend vijojnë të rriten, duke prekur drejtpërdrejt buxhetin e familjeve shqiptare.
Një pjesë e madhe e frutave, perimeve dhe nënprodukteve blegtorale po pësojnë shtrenjtim të ndjeshëm nga dita në ditë.
Në listën e produkteve me rritje përfshihen domatet që shiten nga 350 deri në 400 lekë për kilogram, ndërsa domatinat arrin deri në 700 lekë për kuti.
Edhe perimet bazë nuk bëjnë përjashtim: bizelet raportohen deri në 600 lekë, hudhra rreth 400 lekë, ndërsa spinaqi dhe sallata jeshile shkojnë deri në 150 lekë për kg
Rritje kanë pësuar edhe frutat. Mollët variojnë nga 120 deri në 150 lekë, kivi rreth 180 lekë, ndërsa avokado arrin në 900 lekë për kilogram. Po ashtu, produktet e bulmetit shënojnë çmime të larta, me djathin e bardhë të lopës që shitet rreth 800 lekë dhe djathin e dhisë arrin në 1500 lekë.
Sipas tregtarëve, rritja e çmimeve lidhet me kostot e larta të prodhimit, transportit dhe importit, ndërsa sezonaliteti ndikon gjithashtu në ofertë.
Ndërkohë, qytetarët shprehen të shqetësuar për përballimin e përditshëm. Thonë se janë detyruar të ulin sasinë e ushqimeve që blejnë, duke kufizuar sidomos produktet më të shtrenjta.
Sipas monitorimit ne tregje rreth 80 produkte të shportës ushqimore kanë pësuar rritje çmimi, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për qytetarët të ruajnë të njëjtin standard jetese.

