Finalizohet operacioni “Dimali 3”/ Goditet grupi kriminal i shitjes së kokainës, 3 të arrestuar dhe 2 në kërkim
Policia e Beratit, ka goditur një grup kriminal që shpërndante kokainë në zonën e Dimalit. Përmes hetimeve që zgjaten disa muaj, autoritetet arritën të dokumentonin procesin e sigurimit dhe shitjes së lëndës narkotike në doza.
Si rezultat, Gjykata e Beratit caktoi masën "Arrest në burg" për dy të rinj të moshave 19 dhe 22 vjeç. Ndërsa ndaj një 17-vjeçari u ekzekutua masa e sigurisë "Arrest në shtëpi".
NJOFTIMI I POLICISË:
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Dimali 3”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike kokainë, në Dimal. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit. Arrestohen 3 pjesëtarë të grupit dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Si rezultat i hetimit të ndjekur për disa muaj, me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, me objektiv nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të disa shtetasve, të cilët, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndës narkotike kokainë në Dimal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Dimali 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Beratit, konkretisht:
“Arrest në burg” për shtetasit M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç, të tre banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 2 pjesëtarë të tjerë të këtij grupi, shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, pasi ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se këta shtetas, të organizuar si grup, siguronin lëndë narkotike kokainë e ndanin në doza dhe më pas e shitnin në qytetin e Dimalit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme."/Dosja.al
