Me parkinson dhe grua të verbër, komshiu i kalbi shtëpinë me ndërtim pa leje

Në muajin mars transmetuam një problem me fqinjin e familjes Ullorja në Elbasan.

Dy të moshuarit Ullorja thanë se Enver Dollani, pasi kishte blerë apartamentin në katin e parë të pallatit, kishte bërë një ndërhyrje pa leje, duke mbyllur derën ekzistuese të hyrjes dhe duke nxjerrë hyrjen e re në sheshpushimin e pallatit.

Kjo shtesë, sipas familjes Ullorja, u ka shkaktuar edhe lagështi në banesë, ndërsa ata pretendonin se fqinji nuk i lejonte të ndërhynin për të riparuar dëmet.

Hysni Ullorja tha se për këtë rast ishte ankuar në disa institucione, përfshirë Bashkinë, IMT dhe IKMT, të cilat kishin konstatuar shkeljen dhe i kishin vendosur Enver Dollanit një afat 5-ditor për prishjen e ndërtimit pa leje.

Megjithatë, ndërhyrja nuk ishte kryer plotësisht, pasi muri ishte prishur pjesërisht dhe më pas ishte rindërtuar.

Gazetarja kontaktoi drejtorin e IMT-së në Elbasan, Ardian Zabzuni, i cili premtoi verifikimin e rastit në terren. Inspektorët e IMT-së deklaruan se shtesa do të prishej sipas ligjit. E në fakt, rasti u zgjidh dhe IMT prishi ndërtimin pa leje, duke hequr edhe derën dhe duke liruar hapësirën publike./ Emisioni Stop