Tendera fiktivë dhe firma të manipuluara/ GJKKO dënon ish-kryebashkiakun e Finiqit, si funksiononte skema e abuzimit me tenderat
Gjykata e Posaçme ka dënuar ish-kryetarin e Bashkisë së Finiqit, Leonidha Hristo, me 4 vite burg për shpërdorim detyre.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe rrethanave lehtësuese, dënimi i tij është ulur në 2 vite heqje lirie.
Sipas hetimeve të SPAK, gjatë viteve 2017-2019 janë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me ligjin. Në këto procedura dyshohet se janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të bashkisë.
Hetimet tregojnë se përgatitja e dokumenteve të tenderave dhe vlerësimi i ofertave nuk janë bërë nga strukturat përkatëse, por nga persona të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë në proces.
Ndërkohë, ish-kryebashkiaku ka ngarkuar persona të tjerë për të firmosur dokumente që, sipas hetimit, ishin përgatitur më parë nga zyrtarë të bashkisë.
Për disa të akuzuar të tjerë, çështja është kaluar për hetim në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa procedurat vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

