DETAJET/ Aksioni kundër "Call Center"-ave, lëshohen 8 masa sigurie; disa të shoqëruar

Zbulohen detaje të reja nga aksioni në Tiranë ndaj Call Center-ave.

Policia dhe prokuroria e kryeqytetit zbarkuan sot te një Call Center te Kopshti Zoologjik dhe te një tjetër te Rruga e Kavajës, i vendosur në tre kate.

Mësohet se te ky i fundit janë gjetur brenda 60 punonjës, të cilët dyshohet se kryenin aktivitet të kundërligjshëm, duke mashtruar qytetarë të vendeve të BE.

Sipas burimeve, në total janë lëshuar 8 urdhër-arreste, për drejtues të Call Center-ave dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Bëhet me dije se hetimet kanë nisur para dy vitesh, me asistencë të vendeve partnere si Gjermania dhe Austria. Dyshohet se këto call center-a kanë mashtruar qindra austriakë dhe gjermanë, duke u zhvatur miliona euro.

Policia mësohet se ka shoqëruar punonjësit për t’i marrë në pyetje, ndërsa janë sekuestruar kompjuterë, celularë dhe pajisje të tjera dixhitale.

Po ashtu janë sekuestruar shuma të mëdha të parave, të dyshuara si të vëna përmes aktivitetit të paligjshëm të mashtrimit.

Sipas raportimeve, deri tani janë ekzekutuar 4 masa sigurie, ndërsa të tjerët nuk janë kapur dot, duke rritur dyshimet se edhe ky aksion mund të jetë dekonspiruar si shumë të tjerë.

Ajo që shton dyshimet është fakti se te Call Center-i te Rruga e Kavajës, dy kate janë gjetur të mbyllura, duke rritur dyshime se materialet janë zhvendosur.

Shqipëria prej vitesh është kthyer në një bazë për Call Center-at mashtrues. Me mijëra qytetarë në vende të BE janë mashtruar duke investuar kursimet e tyre. Policia dhe prokuroritë kanë kryer disa herë aksione, por duket se ky biznes vijon të lulëzojë. E përbashkëta e të gjitha aksioneve është se kurrë nuk kapen drejtuesit.

Amant Josifi është një nga kokat kryesore të Call Center-ave në vend dhe është në arrati prej vitesh. Po ashtu, SPAK pak muaj më parë zhvilloi një aksion të ngjashëm te një kullë në mes të Tiranës dhe drejtuesit e Call Center-it nuk u kapën dot.