Francis Bacon, drita e arsyes dhe pesha e virtytit në teatrin e jetës, vjen përmes perlave të mendimit të tij

Sot, në përkujtim të Francis Bacon, mendimi njerëzor kthehet me nderim tek një nga themeluesit e arsyes moderne, tek ai që i dha formë një mënyre të re të të menduarit, empirizmit dhe kërkimit të së vërtetës përmes përvojës.

Bacon nuk ishte vetëm filozof, ai ishte një arkitekt i mendjes, një ndërtues i metodës dhe një vrojtues i hollë i natyrës njerëzore. Urtësitë e tij nuk janë thjesht thënie për t’u lexuar, por udhërrëfyes për t’u jetuar, një pasqyrë ku njeriu sheh dobësitë dhe mundësitë e veta, një thirrje për të qenë më i kthjellët në gjykim dhe më i përmbajtur në bindje.

Në këtë përvjetor, fjalët e tij nuk vijnë si jehonë e një kohe të shkuar, por si një prani e gjallë që na sfidon të mendojmë më thellë dhe të jetojmë më denjësisht.

* Nga të gjitha cilësitë e larta të mendjes, më e madhja është mirësia, është cilësi e karakterit Hyjnor; dhe pa mirësinë, njeriu është i mërzitshëm, bajat, një send pa vlerë.

* Lexo jo për kundërvënie dhe ngatërrime, as për të besuar dhe për t’i marrë kallëp gjërat...por për të shoshitur dhe për të vlerësuar.

* Rruga e fatit është si Rruga e Qumështit në qiell; e cila përbëhet nga një numër yjesh të vegjël, të cilët nuk dallohen prej njëri tjetrit, por që japin dritë së bashku: ashtu është edhe numri i virtuteteve të vogla dhe të pavlera apo i aftësive dhe i shprehive që i bëjnë njerëzit me fat.

* Mosha duket se është më e mira në katër gjëra: druri i vjetër është më i miri për t’u djegur, vera e vjetër është më e mira për t’u pirë, miqtë e vjetë janë më të mirët për t’iu besuar dhe autorët e vjetër janë më të mirët për t’i lexuar.

* Jeta e një beqari është një mëngjes i shijshëm, një drekë bajate dhe një darkë e mjerë.

* Njerëzit duhet ta dinë se në këtë teatër të jetës së njeriut, vetëm Zotit dhe engjejve iu është rezervuar vendi i spektatorëve.

* Ai që jep këshilla të mira, ndërton me një dorë; ai që jep këshilla të mira dhe shembull të mirë, ndërton me të dyja; por ai që jep këshilla të mia dhe shembull të keq, ndëron me një dorë dhe prish me tjetrën.

* Nëse njeriu fillon me qartësi, ai do të përfundojë me dyshime, por nëse është i kënaqur t’ia fillojë me dyshime, do të përfundojë me qartësi.

* Fantazia i është dhënë njeriut për të plotësuar atë çfarë ai nuk është; sensi i humorit i është dhënë që ta ngushëllojë për çfarë ai është.

Në thelbin e mendimit të Baconit qëndron një ekuilibër i rrallë, ndërmjet dyshimit dhe qartësisë, ndërmjet dijes dhe virtytit, ndërmjet mendjes dhe karakterit. Ai na kujton se madhështia e njeriut nuk qëndron në dijen e grumbulluar, por në mënyrën se si ajo dije përkthehet në mirësi, në gjykim dhe në veprim.

Në një botë që shpesh ngatërron shpejtësinë me thellësinë dhe informacionin me urtësinë, Bacon mbetet një zë i kthjellët që na fton të ndalemi, të shoshitim dhe të vlerësojmë.

Dhe ndoshta, pikërisht këtu qëndron pavdekësia e tij, në aftësinë për të na kujtuar se të menduarit është një akt përgjegjësie, dhe të jetuarit, një provë e përditshme e virtytit.

Përgatiti: Albert Vataj