Pashka ortodokse në rrethe, meshë mesnate në qytetet kryesore të vendit

Mesha e Pashkës u kremtua në të gjitha kishat dhe katedralet ortodokse në vend, duke mbledhur mijëra besimtarë. Ceremonitë e mesnatës u zhvilluan në një atmosferë solemniteti dhe gëzimi, duke shpallur ringjalljen e Krishtit dhe mesazhin e shpresës.

Në Fier, qindra besimtarë u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit, brenda dhe jashtë saj, për të ndjekur meshën e ringjalljes.

Imzot Nikolla Hyka në fjalën e rij theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i pérket të mirés dhe jo së keqes.

Mesnata solli lajmin “Krishti u Ngjall”, ndërsa besimtarët u lutën për paqe, harmoni dhe begati.

Ceremoni të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera si Korça dhe Berati, ku pjesëmarrja ishte e lartë dhe besimtarët ndoqën ritualet tradicionale të liturgjisë ortodokse. Në Vlorë, Durrës dhe Pogradec, kishat u mbushën me besimtarë që morën pjesë në meshën e mesnatës dhe në shpërndarjen e dritës së shenjtë.

Në Gjirokastër dhe Dhërmi, ceremonitë u zhvilluan në kishat historike, ku besimtarët ndoqën ritet me përkushtim dhe reflektim shpirtëror. Në të gjitha qytetet, momenti kulmor ishte shpallja “Krishti u ngjall!”, e ndjekur nga urimet tradicionale mes besimtarëve.

Pashka mbetet festa më e rëndësishme për besimtarët ortodoksë, duke simbolizuar ringjalljen e Krishtit dhe fitoren e jetës mbi vdekjen.