"Zëri i Papës kundër luftës"/ Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore: Me luftën humbim të gjithë

Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Gjergj Meta, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare, duke sjellë në vëmendje mesazhin për paqe të Papa Leoni XIV.

Në një qëndrim publik, ai e përshkruan Papën si një zë të qetë, por të vendosur, që ndjek të njëjtën linjë me paraardhësit e tij në mbrojtje të paqes dhe kundërshtim të luftës.

Sipas tij, mesazhi i Papës nuk është i rastësishëm, por lidhet drejtpërdrejt me Ungjillin dhe thirrjen për paqe që qëndron në themel të besimit të krishterë.

Ai kujton se që në fillim të pontifikatit, Papa ka folur për një paqe pa armë, duke kundërshtuar idenë se siguria mund të arrihet përmes forcës ushtarake. Në këtë kuadër, ai e cilëson logjikën “nëse do paqe, përgatit luftën” si një rrugë që nuk sjell zgjidhje, ndërsa nxit një qasje tjetër që bazohet te ndërtimi i paqes.

Reagimi vjen në një moment kur konflikte të ndryshme në botë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish dhe të rëndojnë situatën globale. Sipas tij, çdo luftë është e pakuptimtë dhe pasojat e saj i vuajnë kryesisht qytetarët e zakonshëm.

Në këtë kontekst, ai bën thirrje që zëri për paqe të mos ndalet dhe që udhëheqësit, përfshirë edhe ata në Shqipëri, të angazhohen për të ulur tensionet dhe për të respektuar rregullat ndërkombëtare.