TË MËDHENJTË NË NJË FOTO/ Ava Gardner me surrealistin dhe artistin multidisiplinar, Man Ray
Një nga ikonat më të ndritura të ekranit të artë të Hollyëood-it, Ava Gardner me fotografin, surrealistin dhe artistin multidisiplinar, Man Ray, 1950
Gjatë xhirimeve të filmit "Pandora dhe Holandezi Fluturues" të regjisorit Albert Leëin, një bashkëpunim artistik i jashtëzakonshëm ndodhi mes dy emrave të mëdhenj të shekullit XX: fotografin, surrealistin dhe artistin multidisiplinar Man Ray, dhe një nga ikonat më të ndritura të ekranit të artë të Hollyëood-it, Ava Gardner.
Në këtë fotografi të vitit 1950, që mban firmën e vetë Man Ray-t, shohim një moment të fiksuar në përjetësi ku arti, bukuria dhe krijimi shkrihen në një qenie të vetme.
Në të majtë, Ava Gardner, modelja dhe ylli i filmit, qëndron në një pozicion të lirshëm por hijerëndë, si një statujë klasike që merr frymë. Ajo është shpirti frymëzues i tablosë që po merr jetë. Në të djathtë, me një përqendrim intelektual dhe një çibuk në gojë, Man Ray punon mbi një pikturë që pasqyron jo vetëm bukurinë e saj, por edhe një botë të ndërlikuar simbolesh dhe nënteksti – një grua përpara një kutie misterioze që lexon “LA LUZ” (drita), një aludim për dritën e brendshme të femrës, për kutinë e Pandorës, për dritën që vjen nga errësira.
Ky pikturim, ndonëse nuk u përdor në versionin përfundimtar të filmit, ishte pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë artistik mes Man Ray dhe Albert Leëin, një regjisor që mbështeste artin vizual po aq sa kinemanë. Pikërisht në këtë film, Man Ray realizoi një fotografi që u bë më e dashura për vetë Ava Gardner, e cila shfaqet në skenat e filmit si një portret i vogël mbi tavolinën e anijes së Holandezit – një fragment intim, i mbushur me ndjenja.
Kush ishte Man Ray?
Man Ray (Emmanuel Radnitzky, 1890–1976) ishte një nga figurat më të rëndësishme të avantgardës artistike të shekullit XX. Amerikan me origjinë ruse-çifute, ai veproi kryesisht në Paris dhe u bë një nga emrat më të spikatur të dadaizmit dhe surrealizmit. I njohur për shpikjet e tij në fotografi, si “rayographs”, si dhe për pikturat e tij të ngarkuara me simbolikë, Man Ray e shndërroi realitetin në një akt poetik të përhershëm. Për të, fotografia nuk ishte një përshkrim i botës, por një vizion i saj.
Kush ishte Ava Gardner?
Ava Gardner (1922–1990), perëndesha e bukurisë dhe sensualitetit të epokës së artë të Hollyëood-it, mishëroi magjepsjen e asaj që ishte njëkohësisht e paarritshme dhe njerëzore. Rruga e saj artistike, që nga filmat melodramatikë deri te rolet me ngarkesë erotike e psikologjike, e vendosi përjetësisht në panteonin e legjendave. Gardner ishte jo vetëm aktore, por edhe një muzë për shumë artistë e shkrimtarë, që e panë tek ajo një simbol të lirisë, pasionit dhe rebelimit të bukur.
Një moment arti që sfidon kohën
Kjo fotografi është më shumë se një moment i thjeshtë gjatë xhirimeve të një filmi. Ajo është një përplasje elegante mes reales dhe të imagjinuarës, një dokumentim i një procesi artistik ku bukuria femërore, si mit dhe realitet, portretizohet nga një sy që di të kapë të padukshmen. Ishte epoka kur arti dhe kinemaja flladitnin njëri-tjetrin dhe kjo foto është një dëshmi e pavdekshme e asaj harmonie.
Në sfondin e thjeshtë të studios, ku tabloja është ende në proces, ku ndriçimi vjen jo nga projektorë hollivudianë, por nga pasioni i krijimit, kjo vepër është një akt dashurie ndaj gruas, ndaj artit dhe ndaj përjetësisë së imazhit.
Përgatiti: Albert Vataj

