“Dashuria e lëngshme...” dhe brishtësia e lidhjeve në një botë të paqëndrueshme
Në veprën e tij të njohur, "Liquid Love: On the Frailty of Human Bonds", (Dashuri e Lëngshme: Mbi Brishtësinë e Lidhjeve Njerëzore) sociologu polak Zygmunt Bauman bën një ekzaminim tronditës dhe rekomandon një profilaksi të pakompromis për fatin e marrëdhënieve njerëzore në epokën e modernitetit të lëngshëm.
Ai nuk e sheh dashurinë si një ndjenjë të thjeshtë intime, ku thellësia e përfshirjes dhe epja blatuese e shpirtit të jenë vendimtar në fatin e një dielli që na djeg e na dritt, por si një fenomen të ndërvarur nga strukturat ekonomike, kulturore dhe teknologjike që formësojnë mënyrën si ne jetojmë dhe lidhemi.
Në këtë univers të rrjedhshëm, ku gjithçka është e përkohshme dhe e zëvendësueshme, dashuria humbet gravitetin e saj tradicional. Ajo nuk është më një akt përkushtimi që kërkon kohë, sakrificë dhe durim, por një lidhje e brishtë, e kushtëzuar nga kënaqësia e menjëhershme dhe e ekspozuar ndaj ndërprerjes sapo kjo kënaqësi venitet.
Bauman e përkufizon këtë transformim si kalimin nga marrëdhëniet “të forta” në lidhje “të lëngshme”, ku individët kërkojnë afërsi pa rrezikun e varësisë dhe intimitet pa barrën e përgjegjësisë.
Një nga shtyllat analitike të Baumanit është depërtimi i logjikës së tregut në sferën më intime të jetës njerëzore. Marrëdhëniet nuk ndërtohen më mbi etikën e përkushtimit, por mbi kalkulimin e dobisë. Sa më jep kjo lidhje dhe për sa kohë ia vlen të qëndroj në të? Në këtë optikë, partneri rrezikon të reduktohet në një “produkt emocional”, i vlerësuar sipas performancës së tij në plotësimin e nevojave dhe dëshirave tona.
Kjo e kthen dashurinë në një kontratë konsumatore, e cila mund të zgjidhet në çdo moment pa pasoja të mëdha morale dhe shpirtërore. Në vend të besnikërisë dhe durimit, mbizotëron fleksibiliteti dhe gatishmëria për të kaluar te opsioni tjetër, potencialisht më i mirë. Por kjo liri e zgjeruar zgjedhjeje nuk prodhon qetësi, përkundrazi, ushqen një ankth të vazhdueshëm, një ndjesi të mungesës së përhershme.
Në një nga vëzhgimet më të mprehta të tij, Bauman vëren paradoksin e epokës sonë. Kurrë nuk ka qenë më e lehtë të komunikosh, dhe kurrë nuk ka qenë më e vështirë të lidhesh.
Teknologjia ka zhdukur distancat fizike, por ka zbehur intensitetin e përjetimit emocional. Ndërveprimi është bërë i menjëhershëm, i lehtë, i shumëfishtë, por shpesh i cekët.
Siç shprehet ai me një kthjelltësi aforistike, largësia nuk është më pengesë për ndërveprimin, por mbetet pengesë për emocionin që e shndërron ndërveprimin në lidhje. Kjo do të thotë se mund të jemi të lidhur me qindra njerëz në rrjete, por të pambrojtur ndaj vetmisë në thelbin tonë.
Në këtë kontekst, marrëdhëniet bëhen të brishta jo vetëm sepse janë të përkohshme, por sepse nuk kanë kohën e nevojshme për të rrënjosur përvojën e përbashkët, për të krijuar kujtesë emocionale dhe për të ndërtuar besim. Ato lindin shpejt dhe shuhen po aq shpejt, si impulse që nuk arrijnë të bëhen histori.
Një nga dimensionet më tronditëse të analizës së Baumanit është procesi i mallëzimit të dashurisë. Në një shoqëri ku çdo gjë është e matshme dhe e tregtueshme, edhe ndjenjat i nënshtrohen së njëjtës logjikë. Dashuria duhet të jetë efikase, e kënaqshme, pa kosto të larta emocionale. Dhe nëse dështon të përmbushë këto kritere, ajo braktiset si një produkt i papërshtatshëm.
Ky model krijon një kulturë të përkohshmërisë, ku individët shmangin investimin e thellë emocional për të mos rrezikuar humbjen. Por pikërisht kjo shmangie e rrezikut është ajo që e bën dashurinë të pamundur në formën e saj më të plotë. Sepse dashuria, në thelb, është një akt i rrezikut, një dorëzim ndaj tjetrit, një hap drejt së panjohurës.
Bauman nuk ofron receta, por ai na lë një thirrje sfiduese për reflektim, në një botë që shpërblen sipërfaqësoren dhe të përkohshmen, si mund të rikthejmë thellësinë dhe qëndrueshmërinë në marrëdhëniet tona?
Përgjigjja nuk qëndron në refuzimin e modernitetit, por në ndërgjegjësimin për mekanizmat e tij.
Të duash në kohën e dashurisë së lëngshme do të thotë të zgjedhësh vetëdijshëm angazhimin në një kulturë që e dekurajon atë.
Të kultivosh durimin në një botë të shpejtësisë.
Të ndërtosh besim në një realitet të përshkuar nga pasiguria.
“Dashuria e lëngshme...” mbetet kështu jo vetëm një analizë sociologjike, por një pasqyrë ku njeriu sheh jo vetëm shoqërinë, por edhe veten, me gjithë brishtësinë, frikën dhe dëshirën për lidhje të vërtetë.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron vlera e saj më e madhe, si një kujtesë se lidhjet e qëndrueshme nuk lindin nga lehtësia e kontaktit, nga ligjësia e rreptë ekzistencale, nga domosdoshëria e kuptimësisë së qenies, por nga thellësia e përkushtimit. Po, marrja e përgjegjësive për t'u ndeshur në betejën për ta merituar veten si përbashkim jetësor me pjesën tënde plotësuese.
Përgatiti: Albert Vataj


