EMRAT/ Presidenti Begaj dekoron personalitete të ndryshme të Diasporës shqiptare

Në Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë është çelur Samiti i Katërt i Diasporës Shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga e gjithë bota. Presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e diasporës si faktor zhvillimi dhe identiteti kombëtar. Gjatë ceremonisë u dekoruan disa figura të njohura të diasporës për kontributin e tyre. Samiti do të zgjasë tre ditë dhe do të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar.

Në tingujt kombëtarë çeli siparin Samiti i Katërt i Diasporës Shqiptare në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.

Para shqiptarëve nga e gjithë bota, presidenti i Republikës, Bajram Begaj tha se shqiptaria nuk mbaron vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por ka ndikim global.

Begaj theksoi se Diaspora nuk shihet vetëm si burim remitancash, por si një partner i vërtetë zhvilimi dhe krenarie.

Në cilësinë e kreut të shtetit, Presidenti Begaj dekoroi disa personalitete të diasporës, si Lorik Cana, Gentian Toshkezi, Klarita Gërxhani, Shqiponja Telhaj, Markus Schuhmann dhe Anders Lindberg.

Samiti do të zgjasë për 3 ditë me radhë, ku personalitete të shquara nga diaspora shqiptare, përfshirë ata nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Greqia, bëhen bashkë për të diskutuar mbi tematika të ndryshme, me në qendër forcimin e bashkëpunimit.

E marta, 14 prill, është dita kryesore e samitit, e organizuar në formën e një kuvendi.

Kryeministri Edi Rama do t’u adresohet me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve, të cilët do të marrin pjesë në 17 panele ku do të diskutohet nga roli i ri i diasporës, tek arti dhe kultura si forma për ruajtjen dhe përcjelljen e traditës dhe identitetit.

Samiti pritet të përmbyllet edhe me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.