DOSJA "BANKERS"/ Nga Shqipëria në Kinë, SPAK kërkon prova në 5 shtete për skemën e milionave!

Pavarësisht se Gjykata e Posaçme ka zëvendësuar masat e sigurisë për 4 të pandehurit e dosjes “Bankers”, Prokuroria po punon në mënyrë intensive për të provuar përtej çdo dyshimi skemën e korrupsionit në këtë çështje.

Për të siguruar prova të tjera, dy prokuroret Enkeleida Millonai dhe Anita Jella i kanë dërguar letër-porosi autoriteteve të pesë vendeve për dosjen “Bankers”.

Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, bën me dije se Prokuroria e Posaçme është në pritje të përgjigjeve nga Anglia, Kanadaja, Zvicra, Austria dhe Greqia.

Mësohet se këto shtete kanë shërbyer për lëvizjen e parave nëpërmjet personave të lidhur ngushtë me “Bankers Petroleum”. SPAK, për të siguruar prova të reja, do të bëjë edhe këqyrjen e telefonave të sekuestruara në kuadër të këtij procedimi penal.

Në lupën e prokurorisë do të jenë edhe faturat e lëshuara nga ky subjekt, të cilat sipas të dhënave prekin emra të rëndësishëm të botës së biznesit dhe politikës.

Më herët, Prokuroria e Posaçme ka zbuluar një llogari bankare në qytetin e Pekinit, e cila përdorej për transferimin e fondeve nga Shqipëria drejt Kinës. Sipas SPAK, kjo llogari funksiononte si zyrë përfaqësimi në emër të “Bankers Petroleum Albania” Ltd.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se kjo zyrë përfaqësuese në Pekin shërbente si një mbulesë për të tërhequr fonde nga Shqipëria pa u tatuar, duke i regjistruar këto si shpenzime të kompanisë dhe duke rënduar artificialisht pasqyrat kontabël.