KLONIMI I FAQEVE ZYRTARE/ Lleshi apel qytetarëve për kujdes: Verifikoni çdo link përpara se të veproni
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka identifikuar klonimin e një faqeje që imiton platformën zyrtare për aplikimet për viza hyrjeje të shtetasve të huaj në Shqipëri.
Kjo është një nga faqet për të cilat qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal, pasi sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, ajo nuk është e autorizuar dhe nuk duhet të përdoret për asnjë shërbim apo informacion lidhur me procedurat e vizave.
Drejtori i Drejtorisë së Analizës së Sigurisë Kibernetike, Adriano Lleshi, shpjegon se përdorimi i inteligjencës artificiale e ka bërë më të lehtë për sulmuesit që të kopjojnë faqet zyrtare dhe t’i përdorin për qëllime keqdashëse.
Ai u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar për të dhënat e tyre, veçanërisht ndaj rasteve që paraqiten si urgjente, të raportojnë çdo link të dyshimtë dhe të verifikojnë gjithmonë burimin e informacionit.
Ndërkohë, në njoftimin e fundit, Policia e Shtetit ka apeluar për kujdes ndaj një skeme mashtrimi, ku përmes mesazheve që paraqiten si nga e-Albania synohet vjedhja e të dhënave personale dhe e llogarive bankare, përmes njoftimeve për gjoba të papaguara.
Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike vijon të monitorojë situatën, duke ndërmarrë masa për bllokimin e faqeve të rrezikshme dhe duke bashkëpunuar me institucionet për reagim në kohë reale.

