Tenderi 2.2 milionë € pa përgjegjës? SPAK kërkon pushimin e çështjes për ish-kreun e Prokurimit Publik
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-kreun e Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, dhe ka bërë kërkesë në GJKKO për pushimin e çështjes në ngarkim të tij.
Kërkesa e SPAK do të hidhet në short për të përcaktuar gjyqtarin që do ta shqyrtojë.
Myzyri u hetua për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Përveç tij, nën hetim kanë qenë edhe anëtarët e KPP-së, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
SPAK e mori të pandehur Myzyrin në qershor të vitit 2025, në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro, të zhvilluar në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)–Shpal, Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, me gjatësi totale 59 kilometra.
Ai fillimisht u pezullua nga detyra, por pas dy muajsh u rikthye në postin që mbante.

