Dy turistë belgë bllokohen mes dëborës në Qafën e Valbonës, shpëtohen pas disa orësh

Dy turistë nga Belgjika u gjendën në vështirësi në zonën e Qafës së Valbonës, pasi mbetën të bllokuar në një terren të thepisur dhe me dëborë.

Rreth orës 14:00 është dhënë njoftimi se ata nuk mund të vazhdonin lëvizjen gjatë eksplorimit në Alpet e Valbonës, për shkak të kushteve të vështira të terrenit.

Pas sinjalizimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin e kërkim-shpëtimit të Valbonës, nisën menjëherë kërkimet.

Pas disa orësh në terren, ekipet arritën t’i gjejnë turistët dhe t’u japin ndihmën e nevojshme.

Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë sistemuar në një bujtinë në Valbonë.

Turistët kanë falënderuar ekipet për ndihmën dhe reagimin në kohë.