"METAMORFOZA"/ Siguroi informacion për tri ‘kokat’ e krimit, GJKKO lë në burg të ekstraduarin 'Leksi i druve'
Nga Edison Vatnikaj Përditësimi i fundit 11 Prill 2026, 12:40
GJKKO ka konfirmuar masën e arrestit në burg ndaj Aleks Ndreka, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Italia drejt Shqipërisë, për llogari të SPAK.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, si person i dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e tre shtetasve në vitin 2017.
Ndaj 49-vjeçarit, GJKKO në vitin 2023 kishte caktuar masën “arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i druve”, dyshohet se kishte marrë informacione për lëvizjet e Dorian Duli, Ibrahim Liçi dhe Genc Tafili, dhe më pas këto informacione i dërgonte te grupi i Bajrajve.

