Grabitën kasafortën dhe u kthyen në "vendin e krimit”, policia i kap 'mat' në shkallët e pallatit
Andi Hasani dhe Agron Goxhaj, të dy persona të papunë, morën iniciativën për të kryer një grabitje në një banesë në zonën e Porcelanit në Tiranë, por pa e ditur se shumë shpejt do të përballeshin me policinë.
Pasi u futën në banesën e shtetasit R.O., ata arritën të merrnin një kasafortë që ishte e mbushur kryesisht me flori, si monedha, varëse, ora, por edhe një pistoletë tip “Glock” me leje, si dhe 40 fishekë.
Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, bën me dije se brenda kasafortës ndodheshin edhe dy monedha floriri “Republique Francaise”, në pjesën e pasme të së cilave ishte i shënuar “20 Francs” me vitin 1849, si dhe një tjetër me mbishkrimin “20 Liberte Egalite 1910”.
Të njëjtat burime shtojnë se dy grabitësit janë futur në banesë dhe pasi kanë marrë kasafortën, e kanë mbështjellë me një send dhe janë larguar.
Pasi policia ka marrë njoftimin për grabitjen, ka shkuar në vendngjarje. Gjatë veprimeve hetimore, është konstatuar një person që mbante një kasafortë dhe po ngjitej në shkallët e pallatit në drejtim të banesës.
Policia ka identifikuar pikërisht njërin prej grabitësve, i cili po e çonte kasafortën sërish në banesën që kishte grabitur, me qëllim për të shmangur dyshimet.
Hetuesit kanë nisur ndjekjen e tij dhe, sipas dinamikës së ngjarjes, ai është hedhur nga kati i dytë i pallatit, por më pas është arrestuar.
Gjatë operacionit është ndaluar edhe bashkëpunëtori i tij.
Mësohet se një javë më parë, të njëjtët persona kishin vjedhur edhe një banesë tjetër, duke marrë sende me vlerë.
Në polici, pronari i banesës ka deklaruar se në kasafortë kishte 3 monedha floriri, ku njëra kishte shenjën e Mbretëreshës së Anglisë, një tjetër kishte shenjën e gjelit dhe një tjetër kishte simbolin e engjëllit.
Po ashtu, janë vjedhur edhe tre byzylykë: një me “pemën e jetës”, një i përdredhur dhe një me ngjyrë floriri të bardhë dhe të verdhë.
Gjithashtu janë marrë edhe tre unaza: një me 6 gurë diamanti, një tjetër me një gur blu në ngjyrë bojëqielli të rrethuar me diamante, si dhe një unazë e përbërë nga dy rrathë të hollë të bashkuar.

