“E Premtja e Madhe”/ Besimtarët ortodoksë në Fier ndjekin ceremoninë e Epitafit

Qindra besimtarë ortodoksë në Fier morën pjesë në ceremoninë tradicionale të shëtitjes së Epitafit të Krishtit, një nga ritet më të rëndësishme të së Premtes së Madhe.

Ceremonia u zhvillua në mbrëmje, në një atmosferë përkushtimi dhe lutjeje, në përkujtim të kryqëzimit dhe vuajtjeve të Jezusit. Nën tingujt liturgjikë të bandës së qytetit, Epitafi u nxor nga Kisha e Shën Gjergjit dhe përshkoi disa nga rrugët kryesore dhe qendrën e Fierit.

Pas procesionit, Epitafi u rikthye në kishë, ku do të qëndrojë për të pritur besimtarët gjatë natës së Pashkëve, festë që simbolizon ringjalljen e Krishtit.

E Premtja e Madhe, e njohur edhe si e Premtja e Zezë, është dita kur besimtarët përkujtojnë vuajtjet dhe vdekjen e Jezusit, ndërsa Java e Madhe konsiderohet periudha më e rëndësishme në kalendarin e kishës, e përqendruar te zia, pendimi dhe reflektimi shpirtëror.