Ambasadori Gonzato takon Kryepeshkopin Joan: Bashkësitë fetare duhet të vijojnë të ushqejnë dialogun ndërfetar për të forcuar bashkëjetesën në vend

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gonzato tha se i ka përciellë urimet gjithë komunitetit ortodoks, në vigjilje të Pashkës. 

Ambasadori i BE-së, theksoi se bashkësitë fetare duhet të vijojnë të ushqejnë dialogun ndërfetar për të forcuar bashkëjetesën paqësore në shoqërinë shqiptare.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi. Në vigjilje të Pashkës, i përcolla urimet e mia më të përzemërta gjithë komunitetit ortodoks. Gjatë takimit diskutuam për rolin e rëndësishëm të komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe vlerësova mbështetjen e vazhdueshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për procesin e integrimit evropian. Ndamë gjithashtu bindjen e përbashkët se bashkësitë fetare duhet të vijojnë të ushqejnë dialogun ndërfetar për të forcuar bashkëjetesën paqësore në shoqërinë shqiptare,” ka shkruar Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.