Kërkesat 10-pikëshe të Iranit/ Çika: SHBA ka rënë dakord t’i diskutojë si një pikënisje, mund të zgjerohet më tej

I ftuar në emisionin “Drejt”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika foli për negociatat mes SHBA dhe Iranit, të cilat po zhvillohen në një klimë të brishtë dhe me tensione të vazhdueshme.

Ai shpjegoi se baza e diskutimeve nuk vjen nga Uashingtoni, por nga vetë Teherani, i cili ka paraqitur një paketë fillestare kërkesash.

“Ato 10 pika janë kërkesa të Iranit. SHBA ka rënë dakord t’i diskutojë si një pikënisje, që mund të zgjerohet edhe më tej”, u shpreh ai.

Sipas Çikës, përshkallëzimi i fundit nuk prodhoi një fitues të qartë, edhe pse të gjitha palët pretendojnë sukses.

“Asnjë palë nuk doli realisht fituese, por Irani u detyrua të ulet në tryezë dhe kjo e bën një faktor më të rëndësishëm”, tha ai.

Ai u ndal edhe te objektivat që kërkon të arrijë SHBA në këto negociata, duke nënvizuar dimensionin ekonomik përtej çështjeve të sigurisë.

“Leximi im është që SHBA synon përfitime ekonomike. Ka një interes të qartë për më shumë të ardhura dhe ndikim në tregtinë globale”, u shpreh Çika.

Në këtë kuadër, një nga synimet kryesore lidhet me kontrollin e Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për energjinë botërore.

“Një objektiv i mundshëm është një formë bashkëadministrimi i Hormuzit. Për këtë arsye po rritet presioni ndaj vendeve të NATO-s dhe Evropës”, tha ai.

Sipas analizës së tij, negociatat pritet të zgjerohen dhe të përfshijnë më shumë pika, ndërsa rezultati do të varet nga balancimi i interesave mes sigurisë dhe përfitimeve ekonomike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: