Akuza për mbështetje ushtarake ndaj Iranit, Kina i 'hedh poshtë' dhe i quan spekulime

Kina ka hedhur poshtë akuzat se ka dhënë mbështetje për Iranin gjatë konfliktit, përfshirë pretendimet për ndihmë me informacione mbi lëvizjet e forcave amerikane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Zhang Xiaogang, në një dalje për mediat, e cilësoi këtë si informacion të rremë dhe spekulativ, duke kundërshtuar çdo përfshirje të Pekinit në aktivitete të tilla.

Reagimi vjen pas raportimeve nga The Washington Post, sipas të cilave disa kompani private kineze, të lidhura me ushtrinë, mund të kenë dhënë të dhëna për lëvizjet e forcave amerikane gjatë konfliktit.

Ndërkohë, edhe Reuters ka raportuar, duke iu referuar burimeve amerikane, se një kompani e madhe kineze e çipave mund të ketë furnizuar Iranin me pajisje për prodhimin e tyre.

Nga ana e saj, Kina shprehet se qëndrimi ndaj Iranit ka qenë i hapur dhe i paanshëm dhe se nuk është përfshirë në veprime që mund të përshkallëzojnë situatën.