Prapaskena e armëpushimit, Mema: SHBA është lënë vetëm nga aleatët e saj, Izraeli po minon paqen

Një armëpushim i brishtë ka sjellë një qetësi të përkohshme në Lindjen e Mesme, por tensionet mbeten të larta dhe dinamikat gjeopolitike janë më komplekse se kurrë.

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Medlir Mema,, ndërsa diplomacia ka arritur të fitojë pak kohë për "të qetësuar gjakrat", prapa skenave po luhet një lojë interesash të kundërta që kërcënon të minojë çdo përpjekje për paqe afatgjatë.

I ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News”, Mema theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë të interesuara për një tërheqje nga konflikti dhe ulje të tensioneve, një lëvizje e motivuar edhe nga arsye të politikës së brendshme. Megjithatë, kjo dëshirë për de-eskalim bie ndesh me qëllimet e aktorëve të tjerë të fuqishëm rajonalë.

Në anën tjetër, Izraeli dhe disa vende arabe nuk dëshirojnë që konflikti të mbyllet tani. Për ta, kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar deri në fund. Profesori Mema theksoi se nëse konflikti do të përfundonte sot, humbësi më i madh në rajon do të ishte pikërisht Izraeli.

Një paralele historike interesante e sjell situatën aktuale në një dritë të re. Meman e krahason pozicionin e sotëm të SHBA-së me atë të vitit 1956 gjatë Krizës së Suezit. Atëherë, SHBA nuk mbështeti aleatët e saj, Francën, Britaninë e Madhe dhe Izraelin, duke i detyruar të tërhiqeshin. Sot, gati 70 vjet më vonë, rolet duket se janë përmbysur.

SHBA gjendet e pambështetur nga aleatët e saj evropianë, duke ngritur pyetjen nëse Izraeli mund të vazhdojë veprimet e tij ushtarake pa mbështetjen e plotë amerikane.

Në këtë kontekst, ndërhyrja e fundit e Izraelit në Liban nuk shihet si një lëvizje e rastësishme. Sipas ekspertit, ky veprim është një përpjekje e qartë dhe e qëllimshme nga ana e Izraelit për të minuar dhe sabotuar negociatat e armëpushimit, të cilat i konsideron si të dëmshme për interesat e tij kombëtare.

Kjo strategji rrezikon të ndezë sërish flakët e konfliktit, veçanërisht pas deklaratave të Hezbollahut, i cili ka paralajmëruar sulme të vazhdueshme ndaj Izraelit si kundërpërgjigje. E ardhmja e rajonit mbetet e paqartë, e mbërthyer mes përpjekjeve diplomatike dhe vullnetit të aktorëve rajonalë për ta çuar konfrontimin deri në fund.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PROFESORIN MEDLIR MEMA