“Irani s’lufton si SHBA”/ Deliu: Ata s'konkurrojnë dot me flotat ajrore apo detare amerikane, lufta është asimetrike
I ftuar në emisionin “Drejt”, ish-oficeri i forcave speciale Denis Deliu foli për strategjinë e Iranit në përballjen me fuqitë e mëdha si SHBA dhe Izraeli.
Ai shpjegoi se Teherani ka zgjedhur një qasje ndryshe, duke shmangur përplasjen direkte dhe duke u fokusuar te lufta asimetrike, me në qendër kontrollin e Ngushtica e Hormuzit.
“Irani nuk mund të konkurronte me flotat ajrore apo detare të SHBA-së, ndaj ka kaluar te lufta asimetrike dhe hibride, duke përdorur Hormuzin si mjet presioni”, u shpreh ai.
Sipas Deliut, edhe pse Irani është në një situatë të vështirë ushtarake dhe ekonomike, kjo pikë strategjike i jep ende ndikim të madh në arenën ndërkombëtare.
“Sot Irani është i goditur, por kontrolli i Hormuzit e mban në lojë si fuqi rajonale dhe më gjerë”, tha ai.
Ai sqaroi se përdorimi i kësaj ngushtice nuk është diçka e papritur për Perëndimin, duke iu referuar lëvizjeve të fundit ushtarake amerikane.
“Është një skenar i parashikuar. Prandaj kemi dislokim të aeroplanmbajtëseve dhe forcave speciale për t’u përshtatur me këtë lloj lufte”, u shpreh Deliu.
Në analizën e tij, arma kryesore e Iranit nuk është përplasja direkte, por krijimi i pasigurisë.
“Mjafton një presion i vogël apo kërcënimi ndaj anijeve që kalojnë dhe krijohet kaos në një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë botërore”, tha ai.
Ai shtoi se Garda Revolucionare ka investuar prej vitesh në këtë zonë, duke ndërtuar tunele dhe duke minuar territorin, çka e bën kontrollin e kalimit edhe më të fortë.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

