Leone XIV: E papranueshme të kërcënohet i gjithë populli iranian

Kërcënimi ndaj gjithë popullit iranian është “i papranueshëm”, tha të martën Papa Leoni, duke reaguar ndaj paralajmërimit të mëparshëm të presidentit amerikan Donald Trump se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte”.

Duke folur për gazetarët teksa po largohej nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo drejt Vatikanit, papa tha: “Sot, siç e dimë të gjithë, ka qenë edhe ky kërcënim kundër gjithë popullit të Iranit. Dhe kjo është vërtet e papranueshme”.

Më herët, Trump kërcënoi se do të bombardojë termocentralet dhe urat në gjithë Iranin nëse Teherani nuk rihap Ngushticën e Hormuzit dhe nuk arrin një marrëveshje deri të martën në mbrëmje në orën 20:00 sipas kohës lindore amerikane.

Trump po ashtu shkroi në platformën e tij Truth Social: “Një civilizim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer kurrë më”.

Papa e cilësoi deklaratën jo vetëm si çështje ligjore, por si një detyrim moral. “Sigurisht që ka çështje të së drejtës ndërkombëtare këtu, por edhe më shumë është një pyetje morale që lidhet me të mirën e njerëzve në tërësi”.

Leoni theksoi kontekstin më të gjerë të paqëndrueshmërisë globale, duke thënë se ekziston “një krizë ekonomike botërore, një krizë energjetike dhe një situatë në Lindjen e Mesme me paqëndrueshmëri të madhe, e cila vetëm po nxit më shumë urrejtje në mbarë botën”.

“Të kujtojmë veçanërisht të pafajshmit: fëmijët, të moshuarit, të sëmurët, kaq shumë njerëz që tashmë janë bërë, ose do të bëhen, viktima të kësaj lufte të vazhdueshme. Sulmet ndaj infrastrukturës civile janë kundër së drejtës ndërkombëtare dhe… një shenjë e urrejtjes, përçarjes dhe shkatërrimit që njeriu është i aftë të shkaktojë”, shtoi ai.