SHBA-Iran drejt negociatave? Shtëpia e Bardhë: Irani ka sjellë një version të ri propozimesh, më i pranueshëm se fillestari

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka folur për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit gjatë një konference për shtyp.

Ajo tha se Irani ka sjellë një version të ri të planit për negociata, i cili shihet si më i thjeshtë dhe më i pranueshëm krahasuar me propozimin fillestar prej 10 pikash.

Sipas saj, ky version i ri mund të shërbejë si bazë për bisedime të mëtejshme me SHBA-në.

Në këtë proces është përfshirë edhe Donald Trump, së bashku me ekipin e tij, të cilët e konsiderojnë planin e ri si një hap që mund të çojë drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Megjithatë, qëndrimi i SHBA-së mbetet i njëjtë për disa çështje kryesore.

Kërkesa që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit brenda vendit vazhdon të jetë një nga kushtet kryesore.

Në propozimin fillestar, Irani kishte kërkuar ndërprerjen e luftimeve në rajon, largimin e forcave amerikane, heqjen e sanksioneve dhe të drejtën për të vazhduar programin e tij bërthamor.

Këto pika kishin krijuar kundërshti dhe nuk u panë si të pranueshme nga pala amerikane.

Tani, me planin e ri në tavolinë, pritet të shihet nëse palët do të afrohen drejt një marrëveshjeje apo nëse dallimet do të vazhdojnë.