Skandal në Hungari/ Telefonata sekrete midis ministrit hungarez me homologun rus, çfarë zbulohen nga bisedat
Publikimi i disa regjistrimeve dhe transkripteve ka hapur debat në Hungari, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.
Në materialet e publikuara, ministri i Jashtëm Péter Szijjártó shihet duke telefonuar homologun rus Sergey Lavrov gjatë një samiti të Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit 2023.
Në atë bisedë, ai i jep informacione mbi diskutimet mes liderëve të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën.
Sipas transkripteve, telefonata është bërë gjatë një pushimi nga takimi në Bruksel, ndërsa në bisedë përmenden edhe tensionet dhe mënyrat e presionit brenda negociatave.
Zbulimet vijnë në një moment të ndjeshëm politik, pasi kryeministri Viktor Orbán përballet me një sfidë të fortë nga opozita e drejtuar nga Péter Magyar.
Në një tjetër material të publikuar, i vitit 2024, Szijjártó shihet duke kontaktuar sërish Lavrovin për të organizuar një takim mes Orbán dhe presidentit rus Vladimir Putin në Moskë.
Në këto komunikime përmendet edhe mundësia e ndarjes së dokumenteve të BE-së që lidhen me negociatat e Ukrainës, çka ka shtuar reagimet dhe shqetësimet në nivel evropian.
Vetë Szijjártó ka reaguar ndaj publikimeve, duke i cilësuar ato si ndërhyrje nga shërbimet sekrete dhe duke thënë se kontaktet me Rusinë janë pjesë e praktikës diplomatike.
Nga ana tjetër, opozita në Hungari e sheh këtë si një çështje serioze që prek interesat e vendit dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka kërkuar sqarime për rastin, ndërsa kjo situatë pritet të ndikojë në klimën politike para zgjedhjeve.

