Gjin Gjoni publikon VIDEON: Presion policor në Lezhë gjatë vizitës së Ramës, qytetarët u shoqëruan për 4 orë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka denoncuar atë që e cilëson si një klimë presioni dhe kontrolli policor në Lezhë gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, gjatë kësaj vizite janë shoqëruar në komisariat dy qytetarë, të cilët janë mbajtur për rreth katër orë, deri në përfundim të axhendës së kryeministrit dhe largimit të tij nga qyteti.

Gjini e konsideron këtë veprim si të rëndë dhe antiligjor, duke theksuar se ai tregon frikën e qeverisë nga qytetarët dhe nga zëri ndryshe.

Reagimi i plotë i Gjin Gjoni:

Lezha sot përjetoi një klimë të papranueshme presioni dhe kontrolli policor gjatë vizitës së radhës propagandistike të kryeministrit Edi Rama, i cili mashtron prej 13-vitesh, duke sjellë vetem shpopullim, varferi dhe mjerim.

Dy qytetarë u shoqëruan në komisariat dhe u mbajtën për rreth 4 orë, deri në përfundim të axhendës së kryeministrit dhe largimit të tij nga qyteti.

Ky është një veprim i rëndë dhe antiligjor, që tregon qartë frikën e kësaj qeverie nga qytetarët e lirë dhe nga zëri ndryshe.

Asnjë shtet normal nuk mund të pranojë që policia të përdoret për të ndaluar qytetarë të pafajshëm vetëm për të garantuar një fasadë propagande.

Është detyrim i institucioneve të japin shpjegime të menjëhershme për këtë rast dhe të mbajnë përgjegjësi për çdo shkelje të të drejtave të qytetarëve.

Edi Rama të jesh i sigurtë se Qarku i Lezhës nuk i nënshtrohet presionit dhe dhunës, por qëndron i palëkundur përballë çdo përpjekjeje tuaj për intimidim. Ashtu si në zgjedhjet e fundit, ku qytetarët e këtij qarku ndëshkuan me votë pushtetin e korruptuar të “Rilindjes”, duke dëshmuar qartë se askush nuk mund t’u imponojë vullnetin e tyre.