Rama: Të thuash që ka korrupsion në Shqipëri se më parë do të thotë të flasësh përçart
Sipas kryeministrit Edi Rama ‘të thuash që ka korrupsion në Shqipëri do të thotë të flasësh përçartë”.
Gjatë një aktiviteti për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, kreu i qeverisë foli për integrimin europian duke thënë se dalin shumë raporte në botë, po i vetmi që ka analizë rigoroze është ai i Komisionit Europian.
“Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se më parë do të thotë që të flasësh përçartë.
Si asnjëherë më parë i është hapur luftë korrupsionit dhe i është hapur në radhë të parë politikisht nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e pavarësisë.
S’mund të ketë korrupsion në rritje dhe shumë më shumë përfitues nga gara publike.
Këto janë fakte. Dalin shumë raporte në botë, por ka një që nuk bazohet në anketime që është me boshllëqe, por me një analizë rigoroze të ecjes së punës së një vendi. Dhe ky është raporti i Komisionit Europian“,tha ai.
Edi Rama ka pranuar sot se adminstrata ka probleme me korrupsionin! Ai i ka bërë thirrje Administratës Publike, veçanërisht Tatimoreve që të ndryshojnë qasje ndaj sipërmarrjes private, duke mos u shtruar presione ndaj bizneseve për të marrë në këmbim ryshfete dhe korrupsion.
Gjatë një aktiviteti për punësimet dhe prezantimin e vendeve të reja, Rama paralajmëroi administratën që të ndryshojë qëndrim dhe të krijojë një klimë pozitive biznesi.
“Duhet një administratë e fortë, një administratë që ka aftësi nga njëra anë dhe integritet nga ana tjetër për të pasur rritjen e vazhdueshme që kemi, qoftë nga të ardhurat në dogana, qoftë nga të ardhurat në tatime.
Duhet një administratë absolutisht ndryshe nga ajo që kemi pasur deri disa vite më parë, që klima e biznesit të jetë pozitive, që kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të kërkesës për ryshfet apo të korrupsionit, siç ka ndodhur deri jo shumë vite më parë dhe patjetër që duhet një administratë që është e mirë pozicionuar në raport me qëllimet e shpallura të qeverisë për t’ia dalë që në fund të ditës rritja ekonomike të përkthehet në rritje pagash, në rritje pensionesh dhe në më shumë të drejta”, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se administrata publike ka përballuar një sfidë dhe test të jashtëzakonshëm duke e përfaqësuar Shqipërinë me dinjitetin maksimal në gjithë procesin e negociatave.
Në aktivitetin për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, kryeministri Rama theksoi se të gjitha vendet e lira të punës në sektorin publik, tani në një platformë të vetme.
Sipas tij, çdo i ri, i sapodiplomuar apo profesionist që kërkon një mundësi të re, tashmë e ka më të lehtë të informohet dhe të aplikojë për t’u punësuar në çdo institucion publik.
“Sot ne hapim një dritare të re për të gjithë ta që kanë ambicien të kontribuojnë në sektorin publik. Është një dritare e unifikuar ku jepet një pamje me 360 gradë e të gjitha mundësive të punësimit në sektorin publik, jo vetëm për shërbimin civil”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se i krijohet mundësia në kohë reale kujtdo që synon të kontribuojë në sektorin publik, që jo vetëm të ketë një pamje të vendeve në dispozicion aktualisht, por edhe të ndjekë dinamikën si shkon një proces i caktuar ku ai vetë është i interesuar.
Rama vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm sepse krijon më shumë transparencë dhe ndërveprim mes individit në kërkim të një mundësie dhe shtetit që ka nevojë për të rekrutuar më të mirët.
Kryeministri nënvizoi po ashtu potencialin e lartë të dëshmuar nga administrata publike gjatë procesit të negociatave.
“Administrata publike ka provuar të kundërtën e shumë paragjykimeve që kanë rënduar mbi të ndër vite. Ndërsa perceptimi për administratën publike ka qenë goxha i rënduar nga paragjykimet, administrata ka përballuar një sfidë dhe test të jashtëzakonshëm duke e përfaqësuar Shqipërinë me dinjitetin maksimal në gjithë procesin e negociatave”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se qindra punonjës të kësaj administrate janë angazhuar në këtë proces shumë të ndërlikuar duke përfaqësuar shtetin shqiptar me shumë dinjitet.
“Ata kanë fituar respektin, besimin dhe vlerësimin e palës tjetër, e stërvitur me dekada për t’ia nxirë jetën vendeve që janë ulur në atë tryezë për t’u bërë anëtarë të BE-së, duke kërkuar deri në detaj llogari në çdo sektor. Dhe kur ajo palë arrin të shprehë ato vlerësime, atëherë ne vërtetë kemi arsye të jemi shumë të inkurajuar dhe besimplotë që kemi mundësi të ndërtojmë në Shqipëri një administratë publike dinjitoze të standardeve europiane”, u shpreh Rama.

