“Mafia shqiptare e dyta pas Ndraghetës”, replika Manja-Bylykbashi: E ke kasetën e gatshme për përgjigjen ti

Në Komisionin e Ligjeve, gjatë diskutimit për shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, u shënua një debat mes kryetarit Ulsi Manja dhe anëtarit të opozitës Oerd Bylykbashi, pikërisht në momentin e votimit në tërësi të projektligjit.

Oerd Bylykbashi theksoi se fenomeni i pastrimit të parave në Shqipëri është masiv dhe i dukshëm:

“Ajo që po ndodh sot në Shqipëri, në sy të të gjithëve në Tiranë, por në të gjithë bregdetin, është treguesi më i pastër i pastrimit masiv të parave. Po dalin raporte, dhe është një nga arsyet pse BE po frenon procesin e anëtarësimit.”

Ai shtoi se sipas prokurorit italian të anti-mafias, mafia shqiptare renditet e dyta pas Ndraghetës:

“Mafia shqiptare është e dyta pas Ndraghetës, që e dinë të gjithë që është më e pasura, më e fuqishmja dhe më e rrezikshmja. Ajo që po ndodh këtu është një histori e pastër, me çelës të drejtpërdrejtë te tavolina e kryeministrit.”  

Bylykbashi akuzoi se ligjet shpesh shmangen nga vullneti politik, duke sjellë shembullin e sistemit të prokurimeve publike:

“Nuk kemi gjë në parim kundër ndryshimeve. Por kemi rastin kur një kornizë e tërë ligjore del nga loja sepse vullneti politik e bën kështu. Kështu është edhe rasti konkret.”

Ulsi Manja, kryetar i Komisionit, reagoi duke e ndërprerë dhe duke e akuzuar opozitën për retorikë të përsëritur:

“Ju lutem përmbylleni zoti Bylykbashi. Je në shkelje të rregullores.”

“Ne ishim në votimin në tërësi të projekt-ligjit, zoti Bylykbashi e di që në këtë fazë nuk lejon ndërhyrje. Nuk është nevoja t’i përgjigjeni, se e ka kasetë të gatshme këtë opozita. Për negociatat do të presim prillin, do ta marrë përgjigjen opozita dhe qytetarët.”

Manja theksoi se mazhoranca nuk ndan të njëjtin qëndrim me opozitën dhe e cilësoi diskutimin si retorikë politike të përsëritur:

“Këta e kanë gati këtë retorikë politike, do e kenë tek mbledhja nesërme, edhe ditën e enjte.”