Çfarë po ndodh në Burgun e Durrësit?
Në qelitë e Burgut të Durrësit ndodhen të ndaluar disa persona të rëndësishëm publikë me akuza të rënda, ish-zyrtarë të lartë apo persona në detyrë, si Ilir Beqaj, Erion Veliaj, e të tjerë. Ditë më parë, më saktësisht më datë 1 prill, u emërua Drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve me firmën e Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i cili ka qenë në fakt dhe pastori që ka martuar Erion Veliajn me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
Drejtori i ri i Burgjeve u emërua Adriatik Kupi. Ky i fundit është i njohur edhe si një nga mbështetësit e Erion Veliajt.
Ditën e djeshme raportohet të ketë ndodhur një incident, ku drejtori i Burgut të Durrësit, Edmond Llabani, i cili ka marrë detyrën pak kohë më parë, ka dhënë dorëheqjen. Mësohet se Llabani e ka dhënë dorëheqjen pas disa ndërhyrjeve nga kreu i ri i burgjeve, ku i janë kërkuar të tolerojë takime me 4 apo 5 persona në ditë për “personalitete” apo të arrestuarit që vuajnë dënimin në këtë burg.
CNA ka mësuar se drejtori që la detyrën ka refuzuar që ta kthejë në ‘harem’ këtë burg dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqjen.
Telefona në qelitë e burgjeve, raki, whisky, takime pafund. Burgu i Durrësit po kthehet në një 'harem' menjëherë pas emërimit të Adriatik Kupit nga ministri Toni Gogu. Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë skanadal dhe institucionet ligjzbatuese duhet të hetojnë.
CNA ka mundur të sigurojë dhjetëra fakte, sipas së cilave, në orët e fundit në Burgun e Durrësit po bëhet nami. Flasin me telefona sikur të jenë në call center, rakia dhe uiski derdhen lumë, peshku, karkalecat ‘kërcasin’ ditë e natë, për të mos shtuar detaje të tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Ministri i Drejtësisë, dy ushtarë të padiskutueshëm të Erion Veliajt, po e kthejnë një nga institucionet e vuajtjes së dënimit në një ‘harem’ për qejfet e atyre që ndodhen brenda.
Çfarë është një institucion i vuajtjes së dënimit apo ku personat e ndaluar janë për qejf, ku ‘kërcet’ peshku, karkaleci, vera 1,000 euro shishja, rakia e ‘derdhur lumë’ apo Royal Salute Whisky 25 vjeçar. Këto janë asortimentet e brendshme përtej dhjetëra personave që hyjnë e dalin si në pronën e tyre, ndërkohë që zyrtarët po krijojnë skandalin e radhës për një shërbim politik ndaj zyrtarëve që ndodhen në qelitë e Burgut të Durrësit në pritje të dënimit nga gjykata./CNA
