AKU në aksion! Inspektime në Shkodër për sigurinë ushqimore, Sula: Nuk ka tolerancë për shkeljet, çdo produkt duhet të jetë i sigurt

Inspektori i Përgjithshëm i AKU, Dashnor Sula, dhe Drejtoresha e Përgjithshme, Blerina Gjylameti, kanë zhvilluar një vizitë në terren në Shkodër për të ndjekur nga afër inspektimet dhe kontrollet në sektorin ushqimor, duke përfshirë përpunimin e qumështit dhe prodhimin e vezëve.

Gjatë vizitës, ata kontrolluan zbatimin e procedurave standarde të inspektimit, kushtet higjieno-sanitare, gjurmueshmërinë e produkteve dhe respektimin e ligjit nga operatorët.

Trupa inspektuese u udhëzua për të standardizuar hapësirat e inspektimit dhe për të raportuar gjetjet në mënyrë të njëjtë, për të rritur transparencën dhe efektivitetin e kontrolleve.

Në fokus ishte gjithashtu pika kufitare Hani i Hotit, ku u vëzhguan procedurat për hyrjen dhe daljen e produkteve, me qëllim forcimin e sigurisë së zinxhirit ushqimor.

AKU ka riafirmuar angazhimin për të zbatuar standarde të njëjta inspektimi, të harmonizuara me praktikat e Bashkimit Evropian, dhe për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit, duke garantuar produkte të sigurta në treg.