Policia nuk flet për protestuesit dhe sulmin ndaj Berishës: Gjashtë efektivë u lënduan në protestë

Policia e Shtetit ka dhënë informacion mbi të lënduarit gjatë protestës së sotme në Tiranë, ku thekson se sot u lënduan 6 punonjës policie.

Ndërkohë, nuk ka ende informacion për numrin e qytetarëve të lënduar përfshi këtu edhe vetë kryedemokratin Sali Berisha.

"Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore", njofton Policia e Shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare, në Spitalin e Traumës janë paraqitur tre efektivë të Policisë së Shtetit me lëndime, të cilët po marrin trajtim mjekësor.

Ndërkohë, në QSUT është paraqitur edhe një efektiv i Policisë Rrugore, i cili gjithashtu po trajtohet nga mjekët.