Gogu: Dhuna ndaj institucioneve ngadalëson rrugën europiane të Shqipërisë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi sot se çdo molotov që godet institucionet nuk djeg vetëm muret e tyre, por ngadalëson hapin e një vendi që kërkon të ecë përpara.
“Ka momente kur një shoqëri vihet përballë një zgjedhjeje të thjeshtë, por vendimtare: midis spektaklit të zjarrit dhe durimit të ndërtimit. Në rrugët tona, herë pas here shfaqet i njëjti ritual, flakë që ngrihen përpara institucioneve, tym që mbulon fasadat e shtetit, zhurmë që kërkon të zëvendësojë fjalën. Është një gjuhë e varfër politike, që përsëritet sa herë mungon alternativa”, u shpreh Gogu.
Dhe megjithatë, vijoi si, jashtë këtij tymi, ekziston një tjetër realitet, tryezat e negociatave, kapitujt që hapen e presin të mbyllen, standardet që kërkohen me këmbëngulje nga Europa.
“Sepse rruga europiane nuk ndërtohet me flakë, por me besim, rregull dhe përgjegjësi. Çdo molotov që godet institucionet nuk djeg vetëm muret e tyre, por ngadalëson hapin e një vendi që kërkon të ecë përpara”, deklaroi ministri Gogu.
Shqipëria, tha ai, nuk ka nevojë për zjarr për të dëshmuar forcën e saj.
“Ajo ka nevojë për qetësinë dhe vendosmërinë e njerëzve punëtorë që ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre”, theksoi Gogu.

