PËRLESHJE MBRAPA KRYEMINISTRISË/ Berisha ndihet keq! Pasi marshuan në disa kryqëzime, protestuesit ndalen nga policia te kryqëzimi te RTSH-ja

Protestuesit, mes të cilëve është dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, iu drejtuan policisë së Tiranës, por u përballën me gardhe metalike të vendosura aty nga efektivët, për t’iu paraprirë çdo situate.

Ndërkohë, turma e protestuesve ndiqet nga një autobot me ujë, dhe disa efektivë policie. Ndërkohë që protestuesit iu drejtuan ish-Bllokut.

Ata mbanin ndezur flakadanë, ndërsa më pas hodhën një molotov drejt një stacioni urbani, ndërsa iu shmangën vilën 31.

Mes thirrjeve ‘Rama ik!’ protestuesit vijuan marshimin e tyre përgjatë Sheshit Willson dhe në zona të tjera të ish-Bllokut.

Pasi kaluan nga Presidenca, marshimi vijoi te kryqëzimi te RTSH-ja, ku u tentua të futeshin mbrapa godinës së Kryeministrisë.

Protestuesit opozitarë iu drejtuan Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit (AKSHI), por policia nuk i lejoi, duke bërë që të kishte edhe përplasje.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit e revoltuar hodhën molotovë drejt autobotit të ujit.

Nga kjo përleshje mes protestuesve dhe policisë, kryedemokrati Sali Berisha është ndier keq dhe është larguar me shpejtësi nga shoqëruesit e tij, duke e izoluar atë në automjetin personal të tij, ku është thirrur ndihma mjekësore.

Nga gazetarët në terren bëhet fjalë për një shtyrje fizike që i është bërë atij nga efektivët e policisë, por ende nuk ka një njoftim zyrtar.