Shehu paralajmëron protestë masive: Qëllimi ynë është të ngremë zërin kundër qeverisjes, e cila mban përgjegjësi për problemet e vendit

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, Tritan Shehu i cili foli per protestën e sotme , e cila pritet të nisë sot në orën 18:00 me grumbullime nga qytete të ndryshme të vendit.

Shehu theksoi se përgatitjet po ecin sipas një skenari të mirëorganizuar dhe se pritet një pjesëmarrje masive.

Ai e përshkroi protestën si “të madhe, të fuqishme dhe entuziaste”, duke shtuar se qëllimi është ngritja e zërit kundër qeverisjes aktuale, e cila sipas tij ka katandisur Shqipërinë në një vend të varfër dhe të mbyllur.

“Protestat janë gjithmonë efektive kur një opozitë përballet me qeverisje të keqe. Kudo protestohet atje ku ka keqqeverisje, dhe Shqipëria është kulmi i kësaj gjëje,” deklaroi Shehu, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë, të cilën e cilësoi si një “regjim” që ka shkatërruar vlerat, demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

Ai shtoi se protesta shërben për të zgjuar dhe bashkuar qytetarët, duke krijuar forcën e nevojshme për ndryshim, dhe është një formë aksioni krahas betejës në parlament dhe në media.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: