A do të ketë molotovë sonte? Boçi: Protesta është thelbi i demokracisë dhe mund të marrë forma të ndryshme

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se protesta e opozitës synon të rrisë “frymën e zemërimit” dhe vendosmërinë qytetare për të çuar deri në fund aksionin opozitar. Sipas tij, qëllimi final është largimi i kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe vënia e tij para drejtësisë.

Nga shkallët e selisë blu, në një prononcim për “Ora News” Boçi theksoi se protesta është një instrument për arritjen e këtyre objektivave, duke përmendur se kryeministri është i zhytur në korrupsion dhe i kapur me fakte dhe prova të pakundërshtueshme.

Ai iu referua dosjeve voluminoze, duke veçuar atë të AKSH-it, ku sipas tij, përfshirja e Ramës dhe enturazhit të tij është totale.

I pyetur në lidhje me mundësinë e përdorimit të molotovëve apo përplasjeve me policinë, siç ka ndodhur në protesta të mëparshme që nxitën edhe reagimin e ambasadave ndërkombëtare, Boçi u shpreh se protesta është thelbi i demokracisë dhe mund të marrë forma të ndryshme.

“Demokracia vjen nëpërmjet protestave,” tha ai, duke shtuar se një protestë radikale nuk duhet të trembë askënd, pasi ajo është shprehje e realitetit dhe revoltës aktuale në vend. Sipas deputetit, format e protestës, me apo pa molotovë, nuk e ndryshojnë thelbin e saj si një mjet për të shëndoshur demokracinë.

Në lidhje me qëndrimin e ndërkombëtarëve, Boçi argumentoi se deklaratat e tyre janë të karakterit diplomatik dhe nuk duhen keqinterpretuar si qëndrime kundër protestave të opozitës. Ai shtoi se vetë ndërkombëtarët janë ndeshur me faktet se si kryeministri Rama përdor institucionet, si parlamentin dhe drejtësinë, për të mbrojtur veten dhe anëtarët e kabinetit të tij.

Në përfundim, deputeti demokrat theksoi se dinamika e protestave nuk përcaktohet nga gjykimet që vijnë nga jashtë, por nga “dëshirat dhe shkalla e zemërimit” të qytetarëve.