Rruga e degraduar nxjerr në protestë banorët e Fushë-Milotit
Banorët e Fushë-Milot, në Bashkinë e Kurbinit, kanë dalë në protestë për gjendjen e rënduar të rrugës që lidh disa zona të banuara. Prej 5 vitesh rruga ndodhet në kushte të amortizuara dhe nuk është marrë asnjë masë për rehabilitimin e saj nga bashkia.
Situata është përkeqësuar nga qarkullimi i vazhdueshëm i kamionëve të tonazhit të rëndë, të cilët kanë dëmtuar segmentin rrugor dhe kanë vështirësuar qarkullimin për banorët e zonës.
Banorët shprehen se po përballen çdo ditë me pluhurin e tepërt, i cili po dëmton shëndetin e tyre.
Mbi 300 kamionë kalojnë çdo ditë në këtë rrugë, ndërsa lëvizja e tyre ka shkaktuar dridhje deri ne psasaritje të banesave.
Si pasojë e gjendjes së amortizuar të rrugës, shumë automjete janë dëmtuar.
Po ashtu, prindërit kanë frikë t’i lënë fëmijët të qarkullojnë pranë rrugës per te shkuar ne shkolle, pasi rrezikojnë jetën nga kamionët e shumtë që kalojnë aty.
Gjendja e rrugës konsiderohet skandaloze dhe ka krijuar vështirësi të mëdha për jetën e përditshme të banorëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Kurbinit për rikonstruksionin e kësaj rruge, e cila prej vitesh ndodhet në gjendje të amortizuar.
Ata paralajmërojnë se nëse nuk merren masa konkrete, protesta do të vijojë në mënyrë më të agravuar, deri në bllokimin e rrugës.

