Teneqexhi: Siguria ushqimore, një nga shtyllat kryesore të politikave të BE për mbrojtjen e konsumatorit
Këtë të premte, në emisionin “Alert”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua mbi sfidat e konsumatorëve dhe standardet e sigurisë ushqimore.
E ftuar në studio ishte Elisa Teneqexhi, Menaxhere Projekti për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, e cila theksoi se një nga fokusët kryesorë të politikave të Bashkimit Europian është siguria ushqimore.
Sipas saj, Bashkimi Europian ka ndërtuar një nga sistemet më të avancuara në botë për kontrollin dhe garantimin e sigurisë së ushqimit, që mbulon të gjithë zinxhirin ushqimor – nga prodhimi, përpunimi dhe transporti, deri te produkti final që konsumatorët kanë në tryezë.
Teneqexhi theksoi se mbrojtja e konsumatorit nuk lidhet vetëm me të drejtat e qytetarëve, por është edhe një faktor kyç për funksionimin e tregut dhe për garantimin e standardeve të larta të sigurisë ushqimore.
Sipas saj, ky sistem përfshin një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, operatorëve të biznesit ushqimor dhe autoriteteve ligjzbatuese, për të siguruar që produktet që arrijnë te konsumatori të përmbushin standardet e kërkuara të cilësisë dhe sigurisë.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

