Teneqexhi: BE mbështet Shqipërinë për harmonizimin e legjislacionit dhe forcimin e sigurisë ushqimore
Këtë të premte, emisioni “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, solli në fokus temën “15 Marsi dhe sfidat e konsumatorëve”, duke vënë theksin te të drejtat e qytetarëve dhe mbrojtja e tyre në treg.
E ftuar në studio ishte Elisa Teneqexhi, Menaxhere Projekti për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, e cila u ndal te mbështetja që Bashkimi Europian po i jep institucioneve shqiptare për forcimin e sigurisë ushqimore dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së.
Sipas saj, puna e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është shumë e rëndësishme në këtë proces, veçanërisht në funksion të objektivit ambicioz për mbylljen e Kapitullit 12 dhe grupkapitujve 5 deri në vitin 2027.
Teneqexhi theksoi se Delegacioni i Bashkimit Europian, përmes fondeve IPA, vijon të mbështesë institucionet shqiptare me projekte që lidhen me sigurinë ushqimore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Së fundmi ka nisur edhe një projekt i ri me mbështetje financiare nga BE, që synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si Gjermania dhe Lituania.
Ky projekt do të mbështesë gjithashtu forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), AKMB dhe ISUV, duke ndihmuar në përmirësimin e kontrollit dhe standardeve të sigurisë ushqimore.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i nismës është edhe përgjegjësia e operatorëve të biznesit ushqimor, të cilët duhet të respektojnë standardet e prodhimit dhe përpunimit, në mënyrë që sistemi shqiptar i sigurisë ushqimore të afrohet me kërkesat dhe praktikat e Bashkimit Europian.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS

