Teliti: Informimi dhe ndërgjegjësimi, kyç për mbrojtjen e konsumatorit dhe për tregun europian
Këtë të premte, në emisionin “Alert”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua mbi sfidat e konsumatorëve dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre në treg.
E ftuar në studio ishte Ersida Teliti, Drejtore e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, e cila theksoi se në Shqipëri është bërë një hap i rëndësishëm drejt informimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve, por ky proces duhet të vazhdojë të forcohet.
Sipas saj, përveç konsumatorëve, edhe tregtarët dhe operatorët ekonomikë duhet të jenë të informuar për kushtet dhe standardet e tregtimit, në mënyrë që produktet e tyre të përmbushin kërkesat e tregut.
Teliti theksoi se ndërgjegjësimi i biznesit është thelbësor, pasi vetëm në këtë mënyrë produktet shqiptare mund të jenë konkurruese dhe të kenë mundësi të hyjnë në tregun europian.
Në të kundërt, sipas saj, nëse nuk respektohen standardet dhe rregullat e tregtimit, bizneset do ta kenë të vështirë të përballen me konkurrencën dhe të depërtojnë në tregjet e Bashkimit Europian.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

