Teneqexhi: BE ka ndërtuar një kuadër të fortë ligjor për mbrojtjen e konsumatorit

Këtë të premte, emisioni “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, solli në fokus temën “15 Marsi dhe sfidat e konsumatorëve”, duke vënë theksin te të drejtat e qytetarëve dhe mbrojtja e tyre në treg.

E ftuar në studio ishte Elisa Teneqexhi, Menaxhere Projekti për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, e cila u ndal te dallimet mes mënyrës se si qaset konsumatori europian dhe ai shqiptar ndaj mbrojtjes së të drejtave të tij.

Sipas saj, në Bashkimin Europian është ndërtuar ndër vite një kuadër i zhvilluar ligjor që garanton disa të drejta themelore për konsumatorët, si siguria e produkteve, e drejta për informacion të qartë dhe transparent, liria e zgjedhjes në treg, si dhe e drejta për kompensim në rast ankesash.

Teneqexhi theksoi gjithashtu se një tjetër element i rëndësishëm në politikat e Bashkimit Europian lidhet me zhvillimet e reja në treg, si tregtia online dhe transformimi digjital, për të cilat janë miratuar rregullore dhe direktiva të posaçme për mbrojtjen e konsumatorëve.

Këto rregullore, sipas saj, synojnë të garantojnë që produktet që nuk përmbushin standardet e cilësisë dhe sigurisë të mos qarkullojnë në treg dhe që konsumatorët të kenë mekanizma të qartë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS