DITA BOTËRORE E KONSUMATORIT

Në kuadër të 15 marsit, Ditës Botërore të Mbrojtjes së Konsumatorit, këtë të premte në ambientet e Europe House u zhvillua një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.

Marrëdhënia mes konsumatorit dhe tregtarit, si edhe siguria e produkteve në treg, ishin në fokus të kësaj tryeze të rrumbullakët të organizuar nga tre organizata të shoqërisë civile: Qendra për Ekselencë “Destiny”, Qendra ALERT dhe Qendra “Konsumatori Shqiptar”.

Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, u ndal te marrëdhënia konsumator–tregtar dhe tek siguria e produkteve jo-ushqimore në treg, duke theksuar rëndësinë e një konsumatori më të informuar dhe të institucioneve më efektive në mbrojtjen e të drejtave të tij.

Pjesë e diskutimit ishte edhe Enkelejd Musabelliu, ministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, i cili theksoi se ndërgjegjësimi dhe informimi mbeten elementë kyç për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa procesi i integrimit europian pritet të sjellë standarde më të larta sigurie për produktet dhe shërbimet në treg.

Nga ana tjetër, Rudina Lula, Drejtore e Qendrës për Ekselencë “Destiny”, u ndal te projektet që synojnë ndërgjegjësimin dhe edukimin e qytetarëve për sigurinë ushqimore dhe të drejtat e konsumatorit. Ajo bëri të ditur se në kuadër të kësaj nisme është realizuar një studim për matjen e njohurive dhe sjelljeve të të rinjve për sigurinë ushqimore, ku janë përfshirë rreth 1600 nxënës të shkollave të mesme në Tiranë, Shkodër, Gjirokastër dhe Vlorë.

Ndërkohë, Klajdi Tozaj, koordinator i projektit në Qendrën ALERT, prezantoi ecurinë e projektit “Linja e Gjelbër – më afër konsumatorit”, përmes të cilit qytetarët mund të raportojnë problematika që lidhen me produktet apo shërbimet në treg.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe Blerina Gjylameti, Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për të garantuar produkte të sigurta për konsumatorët. Ajo nënvizoi se përmbushja e standardeve europiane në sigurinë ushqimore mbetet një ndër prioritetet kryesore në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Po ashtu, Klotilda Neziri, nga Sektori i Edukimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, theksoi rëndësinë e informimit dhe edukimit të qytetarëve për të drejtat e tyre në treg.

Në përfundim të aktivitetit, Z. Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Zhvillmit Ekonomik dhe Social, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, shpërndau certifikata për 12 pjesëmarrës, të përzgjedhur nga rreth 50 aplikime për trajnim, të cilët janë bërë pjesë e programit për rritjen e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Projekti “Linja e Gjelbër – më afër konsumatorit” është një nismë dyvjeçare që synon trajtimin e problematikave të qytetarëve në treg, rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e konsumatorëve dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së tyre.

Kjo nismë zbatohet nga Qendra ALERT, në bashkëpunim me Qendrën për Ekselencë “Destiny” dhe Qendrën “Konsumatori Shqiptar”, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, me synimin për të rritur informimin e qytetarëve dhe për të garantuar produkte më të sigurta në treg.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”